E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i Vlorës nën "presion", vendos rihetim për tragjedinë e 9 janarit

Rihapet dosja e "Karaburunit", pas kërkesës së Spahiut dhe politikanëve 
Gjykata e Apelit në Vlorë reagon pozitivisht ndaj kërkesave të shumta të bëra gjatë kohëve të fundit për hapjen e dosjes të tragjedisë së 9 Janarit në Karaburun. nënkryetari i KLD, Kreshnik Spahiu por edhe politikanë të ndryshëm kanë kërkuar së fundmi rihetim për autorët e kësaj tragjedie, por edhe greva e familjarëve të viktimave të tragjedisë së 9 janarit të vitit 2004 në bregdetin e Vlorës, ku humbën jetën 28 shtetas, trupat e 8 prej të cilëve ende nuk janë gjetur, ka vënë në lëvizje Gjykatën e Apelit në Vlorë. Kjo gjykatë ka marrë dje vendimin për rihetimin e tragjedisë së 9 Janarit, e cila rrëmbeu 28 jetë njerëzish, teksa largoheshin me gomone drejt Italisë. Ata të gjithë ishin nga Shkodra dhe rrethinat e saj. Burime të sigurta nga kjo gjykatë bëjnë të ditur se ky organ ka vendosur në këtë mënyrë të marrë në mbrojtje kërkesat e grevistëve, të cilët janë familjarët e të humburve nga kjo tragjedi, për rihapjen e hetimeve të ngjarjes së rëndë që ndodhi 5 vjet më parë në Karaburun. Ndërkaq, bëhet e ditur se ish- ministri i Mbrojtjes në atë kohë, Pandeli Majko, i ka dërguar një letër kryeprokurores Ina Rama, në të cilën i kërkon rihapje të hetimeve dhe organit të akuzës në tërësi të verifikojë çdo aludim që bëhet rreth emrit dhe pozicionit të tij të dikurshëm në momentin kur ndodhi tragjedia e 9 janarit. Ka qenë vetë zv/kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu që kontaktoi me grevistët edhe kryetarin e shoqatës së tyre, Nikoll Mhilli, duke u premtuar mbrojtje atyre. Në daljen e tij përpara mediave mbi këtë ngjarje, Spahiu ka thënë se drejtësia ka akoma për të thënë për këtë ngjarje të pesë viteve më përpara. Sipas të dhënave nga Gjykata e Rrethit Vlorë ka pasur 11 të dënuar, nga të cilët janë gjashtë me 25 vite heqje lirie dhe 5 prej tyre janë të dënuar në mungesë. Mbrëmjen e 9 janarit të vitit 2004, 28 persona u nisën me një gomone për në Itali, por gjetën vdekjen në Karaburun, duke hapur plagë të thella në familjet që humbën të dashurit e tyre. Ngjarja nuk ka kaluar lehtë në opinion sepse njoftimi për qëndrimin e gomones në det të hapur është marrë nga drejtoria e policisë së Lezhës përmes telefonit të njërit prej viktimave dhe gjatë gjithë natës është bërë përpjekje për të shpëtuar viktimat. Mirëpo familjarët e tyre bëjnë përgjegjëse Ministrinë e Mbrojtjes se nuk e ka vlerësuar telefonatën e ndihmës së bërë nga ata që më vonë u bënë viktima. Familjarë të tragjedisë së 9 Janarit, kërkojnë të zbardhet sa më shpejt kjo ngjarje. Ata i bëjnë apel shtetit për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe të dalë e vërteta për tragjedinë e rëndë. Mbas daljes së fakteve të reja në tragjedinë e 9 janarit 2004 familjarë të 8 të humburve kanë hyrë më datën 28 shkurt në grevë urie. Ata kanë mësuar tashmë se një gomone me 8 të mbytur është rimorkiuar, por nuk dihet se ku është çuar. Ky detaj është bërë nga shefi i krimeve të asaj kohe, Sokol Bizhga, sipas të cilit, në orën 06:00 të mëngjesit të datës 10 janar 2004, në gjirin e Dafinës është gjetur nga një anije shqiptare një gomone me 8 trupa të pajetë në bord, por ajo është rimorkiuar nga kjo anije dhe destinacioni i saj nuk dihet.
Tragjedia e Karaburunit ka shënuar 28 viktima, trupat e 8 prej të cilëve nuk janë gjetur që prej asaj dite. Pjesëtarët e familjeve të këtyre viktimave nuk kanë reshtur së kërkuari zbardhjen e kësaj ngjarjeje, ndërkohë që çdo 9 janar shkojnë dhe hedhin lule në vendin nga ku u nis gomonia.

Last Updated on Wednesday, 18 March 2009 16:26

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›