Valasek: Shqipëria të ndjekë strategjinë e Çekisë për tu bërë anëtare e BE
Tomas Valasek, drejtor për çështjet e politikës së jashtme dhe mbrojtjes në Qendrën për Reforma Europiane gjatë një prononcimi për BBC, është shprehur për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, brenda presidencës Çeke. Diplomatët europianë do të përpiqen t'i shkurajojnë diplomatët shqiptarë nga paraqitja e një kërkese të tillë. Kjo, sepse aktualisht nuk ekziston vullneti i duhur për zgjerimin e BE-së.
Por, realisht, as vetë qeveria shqiptare nuk e pret që Bashkimi Europian të përgjigjet: "Mirë, jeni të mirëpritur të na bashkoheni pas pak vitesh". Sikurse e thashë, politikat e zgjerimit të BE-së dhe atmosfera brenda bashkimit, momentalisht nuk janë në favor të vendeve kandidate, është shprehur ai, duke theksuar se vala tjetër e zgjerimit të BE është edhe më larg nga sa pritej, kjo për shkak se vendet brenda BE-së, janë të zhgënjyera, ngaqë BE-ja është zgjeruar, por nuk është integruar më shumë. Strategjia që duhet të përdorë Shqipëria sipas tij është të ndjekë shembullin e Polonisë, Çekisë dhe Sllovakisë. Ato u sollën si vende anëtare të BE-së, pavarësisht se BE-ja nuk po u jepte anëtarësinë. Ata përshtatën gjithë legjislacionin, thanë se do të konsultoheshin nga afër për çështjet e politikës së jashtme. U përpoqën t'i orientojnë politikat ekonomike, sociale, e lokale sipas atyre të BE-së. Duke bërë kështu, ato vende menduan se do ta bënin të pashmangshëm zgjerimin e BE-së, theksoi ai. Ndër të tjera ai veçoi faktin se atmosfera brenda BE-së dhe jo plotësimi nga vendet aspirante i kritereve të caktuara, është kryesisht pengesa e afrimit me BE. Atmosfera brenda BE-së është negative, pjesërisht, sikurse thashë nga mosarritja e një integrimi më të plotë, pjesërisht për shkak të krizës ekonomike. Por arsyeja përse po ecet me ngadalë në drejtim të zgjerimit ka të bëjë edhe me vetë vendet kandidate, në kuptimin se "vendet e thjeshta" për t'u përfshirë në BE, vendet që janë më të përputhshëm apo kompatibël me BE-në, Parë nga perceptimi që ekziston brenda BE-së, të gjitha vendet që kanë mbetur jashtë Bashkimit Europian, janë më të ndërlikuar, më të vështirë, më pak të zhvilluar, më të varfër e ndoshta me stabilitet më të dobët politik, ka theksuar ai. Sipas Valasek, Kroacia ka më shumë gjasa për tu bërë anëtare me të drejta të plota në NATO, sepse tij ajo është më përpara në proces dhe e ka kryer tashmë punën më të madhe.