Vazhdon pyllëzimi i faqes së zhveshur të Kodër Vilës
Ka vazhduar pyllëzimi i Kodër vilës ku janë mbjellë 500 pemë të llojeve akacie, plepa dhe qershi e egër janë mbjellë në faqen perëndimore të kësaj kodre. Mbjellja e pemëve është bërë nga efektiva të Ministrisë së Mbrojtjes. Nisma është ndërmarrë nga ministria e Mbrojtjes, menjëherë pas dhurimit të 3000 pemëve nga ana e ministrisë së Mjedisit.
Kjo nismë e cila synon gjelbërimin e kurorës së gjelbër të Durrësit është përkrahur nga Bashkia e Durrësit dhe në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë Vangjush Dako. Dako në fjalën e tij e vlerësoi punën e Ministrisë së Mbrojtjes në mbjelljen e këtyre pemëve. Më tej kryebashkiaku Dako theksoi se shtimi i sipërfaqeve të gjelbra në Durrës është një prioritet i Bashkisë së Durrësit, e cila ka ndërmarrë një sërë nismash në lidhje me ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe me shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në shërbim të komunitetit të Durrësit. Dako theksoi se "të tjera nisma do të ndërmerren në të ardhmen nga bashkia e qytetit në lidhje me sipërfaqet e gjelbra në qytet dhe në këtë drejtim vetëm për këtë vit do të vazhdojmë të mbjellim edhe 1000 pemë të tjera në zona të ndryshme të qytetit". Për qytetin e Durrësit janë planifikuar mbjellja e 550 pemëve, ndërkohë që pjesa tjetër do të mbillen në qytetet e Tiranës, Elbasanit, Shkodrës dhe Pogradecit. Të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa dhe zyrtarë të tjerë.