Korça i nënshtrohet dëborës në pranverë
Pranvera dorëzohet nga reshjet e dëborës që kanë përfshirë sërish qarkun juglindor të vendit. Nga orët e para të mesditës së djeshme, i gjithë rajoni i Korçës është përfshirë nga sasi të konsiderueshme reshjesh, të cilat kanë nisur të shfaqin dhe problemet e para në qarkullimin e automjeteve. Shtabi i Emergjencave Civile pranë institucionit të prefektit në Korçë ka nisur marrjen e masave dhe parandalimin e izolimit të rrugëve kryesore nacionale që lidhin qarkun e Korçës me rrethe të tjera të vendit.
Sipas burimeve nga ky sektor probleme paraqet vetëm aksi Korçë-Kolonjë në Qafën e Qarrit, ndërsa përsa iu përket segmenteve të tjera nacionale ato kanë qenë pa probleme për drejtuesit e mjeteve. Sipas Dhori Çekrezit, përgjegjës pranë zyrës së emergjencave mësohet se janë nxjerrë menjëherë në rrugë disa mjete borëpastruese madje dhe sasi kripe për ti hedhur në rast të përkeqësimit të situatës sidomos gjatë orëve të natës ku nuk përjashtohen dhe uljet e temperaturave që do të thotë ngrica në segmentet nacionale dhe vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Çekrezi thotë se situata është nën kontroll të plotë dhe për fat të mirë nuk ka probleme në zonat e thella malore të cilat janë më të vështira për t'u ndërhyrë në rast të reshjeve të shumta të dëborës.