Devoll, fermerët e Devollit hedhin në lumë tonelata qepësh të prishura
Fermerët e Devollit kanë hedhur tonelata të tëra prodhimesh bujqësore në lumin me të njëjtin emër, ndërsa akuzojnë shtetin për politikat bujqësore në disfavor të tyre. Situata e pazakontë e këtij viti për fermerët e rrethit të Devollit duket se iu ka kushtuar rëndë këtyre të fundit. Rreth 200 ton qepë të prodhuara kryesisht në fshatrat Miras, Fitore, Dobranj, Kuç, Poloskë etj., janë duke u dekompozuar, ndërsa sasi të konsiderueshme të tyre janë hedhur në brigjet e lumit Devoll.
Situata duket e pazakontë, ndërkohë që pavarësisht kërkesave të fermerëve të kësaj zone pranë Drejtorisë së Bujqësisë në Korçë për ti mbështetur në këtë dështim të tyre në këto përmasa gjendja ka mbetur e njëjtë me asnjë reagim nga drejtoria në fjalë. Madje ata thonë se janë të detyruar që prodhimin dhe punën e një viti ta hedhin në lumin Devoll pasi qepa e tyre tashmë nuk shitet. 1 kg qepë kushton deri dhe 10 lekë, ndërsa blerësit mungojnë ndonëse prodhimi ka qenë cilësor. Hajredin Kaso banor i fshatit Miras që njihet për qepët e famshme të kësaj zone thotë se ka hedhur më shumë se 50 kv qepë më lumë, ndërsa ka shitur në fillim të stinës së dimrit vetëm një sasi mjaft të vogël qepësh duke mos mundur të marrë shpenzimet që ka kryer për këtë prodhim. Situata duket e rëndë ndërsa falimentimi në masë i fermerëve është duke i nxitur ata të mos përsëritin të njëjtin gabim që do të thotë që për këtë vit të mos mbjellin më qepë, një nga produktet e tyre kryesore, ndonëse e njëjta vështirësi është përsëritur edhe me prodhime të tjera si mollët, patatet etj,.