Banda e Cërrikut, tension në sallën e gjyqit
Tiranë - Debate të ashpra shkaktoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda dëshmia e Bujar Buzanit, të penduarit të bandës së Cërrikut, anëtarët e së cilës akuzohen për vrasjen e 6 punonjësve të Gardës së Republikës dhe plagosjen e disa të tjerëve në vitin 1997 në Cërrik. Debatet nisën sapo Buzani filloi të flasë para trupës gjyqësore për ngjarjen e ndodhur 12 vjet më parë në Cërrik. Duke e kundërshtuar dëshminë e Buzanit, njëri nga të pandehurit u largua nga salla e gjykatës. Një tjetër prej tyre, duke e drejtuar gishtin tregues nga përfaqësuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, tha se po manipulohet me dëshminë e Buzanit. Më pas sallën e braktisi edhe njëri nga mbrojtësit ligjorë të të pandehurve të procesit, gjë që solli ndërprerjen e seancës. Në këto kushte, trupa gjyqësore vendosi zhvillimin e seancës javën e ardhshme. Dëshmia e Buzanit cilësohet si mjaft e rëndësishme në zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë të ndodhur në vitin 1997 në Cërrik. Të pandehur në këtë proces janë: Llazar Bicja, Met Bozi, Arian Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Entel Gashi si dhe Bujar Buzani, i cilësuar si i penduari i bandës.
Këta persona, shumë prej tyre të arrestuar vitin që shkoi nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, akuzohen për vrasjen me armë zjarri të 6 punonjësve të Gardës së Republikës, si dhe plagosjen e disa efektivëve të Policisë së Shtetit afro 12 vjet më parë, në qytezën e Cërrikut.
Hidhet shorti për dosjen e hetuesit për korrupsion
Tiranë - Gjyqtari Gerd Hoxha është caktuar si kryetar i trupës gjyqësore, e cila do të shqyrtojë çështjen në ngarkim të ish-oficerit të Policisë Gjyqësore në Durrës, Thoma Marina, i dyshuar për korrupsion. Përzgjedhja e gjyqtarit Hoxha, me cilësinë e drejtuesit të këtij procesi, është bërë pas shortit që u hodh dje në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, - bënë të ditur burime zyrtare nga kjo Gjykatë. Ish-hetuesi Thoma Marina u arrestua para disa muajsh në Durrës si i dyshuar në marrje ryshfeti në shumën prej 10 mijë eurosh nga një person, kundrejt mbylljes së hetimit të një çështjeje që kishte nën hetim. Për muaj me radhë, ai u hetua nga njësia antikorrupsion “Task Force” në Prokurorinë e Tiranës për veprën penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë tashmë pritet të hapet procesi gjyqësor ndaj tij.
18 Mars 2009