E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia kërkon ekstradimin e vrasësit të emigrantit shqiptar



Vrasja e Benard Kozares, dy vjet më parë në Itali, ka bërë që Gjykata e Viçenzës të japë burg për jetë për kreun e bandës, që dyshohet se ka ekzekutuar të riun, si dhe njëzet vjet për një nga anëtarët e grupit. Ngjarja ndodhi më 12 tetor të vitit 2007. Dy personat e dënuar planifikuan vrasjen e egër dhe në mes të ditës, në qendër të lokalitetit Molin, në Itali. Bledar Sallufi, i cili pasi ekzekutoi me dy plumba të riun Benard Kozaria, me të cilin kishte lidhje të ngushta shoqërore dhe familjare, arriti të largohej nga Italia në drejtim të Shqipërisë dhe është kështu në listat e personave më të kërkuar në shtetin fqinj. Gazeta “Il Giornale di Vicenza” evidenton se Gjykata ka vendosur të dënojë me 20 vjet burgim Lejdin Shalarin, 21 vjeç, i cili ishte bashkëpunëtor në vrasjen e të riut shqiptar. Procesi në Shkallën e Parë të Gjykatës italiane ka përfunduar, ndërkohë që para disa ditësh është zhvilluar seanca në ngarkim të gjashtë personave të tjerë, të implikuar në vrasjen e Kozares. Disa prej tyre janë: Elton Xhoxhi 25 vjeç nga Elbasani, Juljan Çela 23 vjeç nga Lushnja, Erion Gjahtari 21 vjeç nga Vlora. Këta të fundit akuzohen se janë pjesë e grupit që qëlloi mbi Kozaren. Nga këta, dy ndodhen në burg dhe i vetmi që i ka shpëtuar arrestimit është Erion Gjahtari, i cili ka mundur të largohet pas vrasjes së bashku me Sallufin drejt Shqipërisë për të humbur gjurmët. Ndërkaq janë tre të rinj të tjerë, të cilët janë nën hetim nga policia dhe Prokuroria e Viçenzës. Ata janë: Albion Hasanaj, Saimir Gripshi dhe Ermir Gripshi, të cilët pas vrasjes kanë ndihmuar ekzekutorët të largohen nga Viçenza, në drejtim të Padovës, ku dy nga autorët e vrasjes më pas u larguan drejt Shqipërisë. Ndaj gjashtë të rinjve që janë ende në proces gjykimi, Gjykata e Viçenzës ka vendosur që ato të gjykohen nga një juri e përbërë nga dy gjyqtarë, si dhe nga tetë intelektualë, banorë të Viçenzës.

18 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›