Ndalohen vjedhësit e lokaleve të Fushë-Krujës
Krujë – Policia e Krujës ka mundur të kapë në flagrancë 18-vjeçarin Kujtim Leka, lindur dhe banues në Thumanë, si edhe 17-vjeçarin K.P. pasi ata rezultojnë të jenë autorët e disa vjedhjeve të realizuara në zonën e Fushë-Krujës. Sipas të dhënave të policisë, këta dy persona, në vendin e quajtur lagjja “Adem Gjeli”, janë kapur në flagrancë duke vjedhur në dyqanin e shtetasit Arben K. Ata rezultojnë se janë edhe autorë të vjedhjes së lokalit të Xhumali C. në Fushë-Krujë duke i marrë shumën e 150.000 lekëve të reja.
Ushtronte prostitucion për 2 mijë lekë në Bisht Pallë, kapet nga policia
Durrës – Forcat e policisë së Durrësit kanë mundësuar kapjen në flagrancë të një vajze të re, e cila ushtronte aktivitetin e prostitucionit kundrejt pagesës. Sipas të dhënave, bëhet fjalë për 21-vjeçaren Vojsava B., banuese në Berat. Në vendin e quajtur “Bisht Pallë” ajo u kap në flagrancë duke ushtruar prostitucion kundrejt pagesës së 2 000 lekëve të reja me shtetasin L.M. Materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “Prostitucionit”, të parashikuar nga Neni 113 i Kodit Penal.
Ina Rama: “Prokuroria e Sarandës, problematike”
SARANDË- Kryeprokurorja Ina Rama ka asistuar në analizën e punës vjetore të Prokurorisë së Sarandës dhe e ka quajtur atë një prokurori me shumë probleme. Kryeprokurorja u është referuar masave disiplinore për dy prokurorë dhe një tjetri në proces, të cilat kanë mbetur të pafinalizuara, ndërsa e ka konsideruar voluminoz numrin e çështjeve të mbartura e sidomos atyre të pushuara pa një zgjidhje nga prokuroria. Kryeprokurorja ka kërkuar që prokurorët të jenë profesionalë në punën e tyre e ta tregojnë këtë duke e thelluar hetimin dhe kapërcyer pretendimet jashtë kornizave ligjore.
18 Mars 2009