E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbërrin në gjykatë dosja për burrin që vrau bashkëshorten



Tiranë - Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet ndaj 39-vjeçarit Shpëtim Zhllima, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, 36-vjeçares Nafije Zhllima, në janar të 2009-s në Tiranë. "Çështja penale ndaj këtij shtetasi i është dërguar për shqyrtim Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, - konfirmuan dje burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës. Sipas tyre, ndaj 39-vjeçarit Zhllima rëndon akuza "vrasje me dashje". Shpëtim Zhllima u arrestua menjëherë pas krimit të rëndë nga forcat e policisë së Tiranës. Gjatë ballafaqimit me grupin hetimor, ai mësohet se ka pranuar autorësinë në krim, por ka pretenduar se e kishte kryer nën efektin e pijes alkoolike. Sipas Prokurorisë së Tiranës, 39-vjeçari akuzohet për vrasjen me thikë të gruas së tij, Nafije Zhllima, në banesën ku jetonin prej kohësh pranë Spitalit Ushtarak, në janar të këtij viti. Shkak për ngjarjen mendohet të jetë bërë xhelozia e 39-vjeçarit.

Operacioni “Pranvera”, kapet i katërti i dyshuar për trafik klandestinësh
Korçë – Forcat e policisë së Korçës kanë mundësuar kapjen e personit të katërt, i cili dyshohet se organizonte trafikun e paligjshëm të kalimit të kufirit, duke u marrë “klientëve” shumën e 6000 eurove. Sipas të dhënave, i dyshuari trafikant quhet Ferdi Toto, 45 vjeç, lindur dhe banues në Berat. Ai rekrutonte persona nga rrethet Tiranë dhe Lushnjë kundrejt një vlere prej 6000 eurosh për secilin, midis të tjerëve dhe persona në moshë të mitur, të cilët i transportonte dhe i strehonte paraprakisht në banesën e shtetasit Ylli Palla, në fshatin Koshnicë të Devollit. Më pas ata çoheshin në Greqi përmes kufirit tokësor. Ai u kap në kuadrin e operacionit “Pranvera”, me anë të të cilit u bë e mundur disa ditë më parë edhe arrestimi i shtetasve Ylli Palla, Florian Martaneshi, Lule Hamzallari, për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, parashikuar nga Neni 298/3 i Kodit Penal. Ndaj Hamzallarit, policia tha se vendosi ndjekjen penale në gjendje të lirë, kurse dy meshkujt u vunë nën arrest me burg.

Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin e Faktit për Nehat Kullën

Durrës – Gjykata e Apelit në Rrethin e Durrësit ka lënë në fuqi vendimin e mëparshëm për Nehat Kullën. Burime të sigurta thanë për gazetën se ky organ gjyqësor ka vendosur që Kulla të vijojë vuajtjen e dënimit prej 20 vitesh, i cili i është dhënë nga organet e drejtësisë. Nehat Kulla është dënuar me 20 vjet burg për vrasjen e Halim Gjuzit, i cili ka qenë shofer i ish-ministrit të Arsimit, Halit Shamata.

18 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›