E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitari: “Altin Dardha më vuri tytën e automatikut në kokë”

Riza Qosja rrëfeu dje para gjykatës si i kishte grabitur makinën banda e Beratit. Qosja mohoi të njihte të pandehurin e këtij procesi, Gëzim Kasemin

Laureta Rryçi

Tiranë - Gëzim Kasemi, i cilësuar si anëtar i bandës së Altin Dardhës, është lehtësuar dje kur dëshmitari nuk e ka njohur. Seanca e radhës në procesin për bandën e Altin Dardhës ka vijuar dje me një tjetër dëshmi. Riza Qosja, i thirrur si dëshmitari i akuzës, rrëfeu para trupit gjykues se banda e Altin Dardhës i kishte grabitur makinën nën presionin e armëve. Sipas dëshmitarit, Altin Dardha i ka vënë në kokë tytën e automatikut duke i kërkuar që t’i jepte çelësat e makinës. Edhe pse ngjarje e rëndë, dëshmitari e ka pasur të vështirë të kujtonte emra apo fytyra të tjera nga ajo ditë që e grabitën. Po kështu, në momentin që prokurori e pyeti nëse e njihte të pandehurin, ai u përgjigj negativisht. Sipas Qosjes, personi që ndodhej prapa hekurave nuk kishte qenë ditën kur iu grabit makina. Dëshmia zgjati më shumë se 30 minuta dhe më pas trupi gjykues përcaktoi një datë tjetër për zhvillimin e procesit gjyqësor.
Dosja
Sipas akuzës, Gëzim Kasemi, më datën 25 shkurt të vitit 1998, në bashkëpunim me shtetasit Agron Balliu dhe Altin Dardha, kanë organizuar një atentat për ekzekutimin e njërit prej kapove kryesorë të Beratit gjatë trazirave të vitit 1997, shtetasit Burhan Tomori. Burhani kishte vrarë disa muaj më parë babain e Altin Dardhës dhe ky i fundit vendosi të hakmerrej. Dardha, së bashku me shokun e tij Altin Isufi, si dhe dy të dënuarit tashmë Agron Bilali me 25 vjet burg dhe Gëzim Kasëmi me 23 vjet burg, kanë gjetur Burhanin në një lokal pranë stadiumit “Tomorri”, jo më shumë se 100 metra nga Komisariati i Beratit. Dardha ka qëlluar mbi 150 herë me një mitraloz të lehtë mbi viktimën, duke vrarë aty edhe tre persona të tjerë. Gjatë largimit në drejtim të Skraparit, Dardha ka qëlluar pa shkak mbi shtetasin Sali Kumani, në lagjen “Uznovë”, duke e lënë të vdekur. Më pas, ai i ka rrëmbyer makinën fuoristradë, të tipit “Toyota”, e cila ishte në pronësi të shtetasit Riza Qosja. Disa kilometra më tej, Dardha ka marrë peng inspektorin e policisë, Ferdinand Kalemi, së bashku me mjetin e tij të policisë. Operacioni i ndjekjes së Dardhës është drejtuar nga ish-komisari i Beratit, tashmë i vrarë, Gani Malushi. Komisar Malushi me efektivat e tij arriti të shpartallonte bandën e Dardhës duke kapur pas një shkëmbimi të fortë zjarri shtetasit Agron Bilali dhe Gëzim Kasemi, ndërkohë që Altin Isufi mbeti i vrarë. Në atë aksion të policisë, Altin Dardha mundi të çante rrethimin, por mbeti i vrarë pas tri ditësh në qytetin grek të Janinës prej kuçovarit Arian Paja. Ndërkohë, dy shokët e tij, Gëzim Kasemi dhe Agron Bilali, u lanë të lirë nga gjykata në vitin 1999 për t’u dënuar në vitin 2001 po nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë.
Procesi
I pandehuri Gëzim Kasemi u dënua më 12 mars të vitit 2001 me 23 vjet burg në mungesë. Kasemi u ekstradua në vendin tonë dy vjet më parë. Në vitin 1999 po për këto vepra penale Gjykata e Beratit e deklaroi të pafajshëm duke e liruar në sallën e gjyqit. Që nga ajo kohë, vendndodhja e 30-vjeçarit Kasemi nuk dihej, por kjo situatë vazhdoi deri kur autoritetet italiane lajmëruan se personi i shpallur në kërkim, Gëzim Kasemi, është arrestuar në qytetin e Milanos. Sipas vendimit të gjykatës, 30-vjeçari Kasemi ka qenë një nga anëtarët e bandës së Altin Dardhës, që njihet si një nga bandat më të frikshme jo vetëm në qytetin e Beratit në atë kohë, por në të gjithë Shqipërinë. Sipas akuzës, banda ka vepruar nga viti 1997 deri në vitin 1999. Shtetasi Gëzim Kasemi u dënua në mungesë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë më 12 mars të vitit 2001 me 23 vjet burg, vendim i cili ka marrë formën e prerë në shtator të po këtij viti nga togat e zeza të Gjykatës së Apelit në kryeqytet. Pas mbërritjes së Kasemit në Shqipëri, ai kërkoi rigjykimin e çështjes duke pretenduar se ishte dënuar pa të drejtë në mungesë.

18 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›