Thaçi: “Për ndalimin e deputetëve serbë u zbatua ligji”
Kryeministri Hashim Thaçi ka komentuar ndalimin që u ka bërë të hënën Policia e Kosovës shtatë deputetëve të Parlamentit të Serbisë dhe shoferit të tyre, që donin të hynin në Kosovë, pasi ata nuk morën leje paraprakisht për të vizituar shtetin e ri. Thaçi tha se policia në këtë rast vetëm ka zbatuar ligjin dhe kjo nuk është bërë për motive politike. “Ata janë deputetë të një vendi, të një shteti tjetër. Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Nuk është çështje politike, por është çështje ligjore. Ne kemi obligim që ta respektojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe do ta respektojmë në përpikmëri”, - tha Thaçi. Delegacioni serb kishte njoftuar për këtë vizitë Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Beograd, por jo institucionet e Republikës së Kosovës. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët kanë marrë vendimin për të mos lejuar hyrjen në Kosovë të deputetëve të Parlamentit të Serbisë, çdo delegacion i vendeve fqinje për të vizituar Kosovën duhet të kontaktojë drejtpërdrejt Ministrinë e Punëve të Jashtme, gjë që delegacioni serb nuk e ka bërë.
18 Mars 2009