Apeli i gjyshes: Shteti të ndihmojë 3 fëmijët e vegjël
"Shteti duhet t'iu japë dorën që të mos vuajnë urie, pasi askush nuk i ka ndihmuar deri më sot, as fshati"
DEVOLL- Gjyshja e tre fëmijëve të familjes Rusi të mbetur jetimë prej dy ditësh pas aktit të vetëhelmimit të nënës së tyre, përmes lotëve dhe dhimbjes së humbjes së vajzës së saj, kërkon të shpëtojë nga mjerimi dy nipat dhe mbesën e saj. Ajo ndodhej në shtëpinë e të bijës, përkrah dhëndrit që sapo ishte kthyer nga spitali, duke u përpjekur të rregullojë shtëpinë, por dhe për t'iu falur më shumë ngrohtësi vogëlushëve ende minorenë për një jetë tanimë pa nënën e tyre, por dhe me babanë e traumatizuar. Gjyshja e fëmijëve, Engjëllushe Hyseni, ka udhëtuar prej dy ditësh nga fshati i saj Rakickë në rrethin e Devollit drejt Vishocicës kur ka marrë vesh se vajza i ishte helmuar me një pesticid që përdorej për spërkatjen e rrushit, ndërsa është përpjekur ta mbajë veten për të mos lënë në udhëkryq krijesat e saj. "Nuk e kuptoj ende se çfarë na ka ngjarë kështu, - nis rrëfimin e saj gruaja e veshur me të zeza- por dua që tani bashkë me burrin tim të mendojmë për këta fëmijë. I bëj thirrje shtetit të kthejë sytë dhe vëmendjen tek këta tre fëmijë të cilët kanë mbetur pa nënëe t'i ndihmojë. Shteti duhet t'iu japë dorën që të mos vuajnë urie, pasi askush nuk i ka ndihmuar deri më sot, madje as fshati nuk u bashkua për t'i ndihmuar si ndodh në raste fatkeqësie." Gruaja duket se nuk ka më forcë të flasë, ndërsa mbështjell pas vetes fëmijët duke iu premtuar se nuk do t'i linte asnjëherë vetëm dhe se do të kujdesej për ta deri sa të ishte në jetë. Ajo thotë se e bija bënte një jetë të vështirë dhe bashkë me të shoqin përpiqeshin të lehtësonin jetën e fëmijëve, ndërsa ka treguar gjithashtu se ka pasur probleme depresioni për shkak të kësaj gjendjeje ekonomike të vështirë. Askush nga familjarët nuk mund të kuptojë motivin e këtij vetëflijimi, kur Afërdita vendosi të pijë pesticidin për t'i dhënë fund jetës në dhomën e gjumit, ndërsa është pasuar nga ky akt nga i shoqi me të cilin kishte debatuar ashpër.