Centrali Bërthamor prezantohet në Davos
Qeveria shqiptare ka paraqitur në Forumin Ekonomik Botëror, projektin për një Central Bërthamor
Kryeministri Berisha ka vazhduar që ta promovojë idenë e tij për një Central Bërthamor edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Gjatë Forumit Ekonomia Botërore në Davos, Berisha ka bërë të ditur se ka paraqitur projektin shqiptar për energjinë nukleare. Vetëm pak ditë më parë, Këshilltarja Ekonomike e kryeministrit, Suzana Guxholli ka deklaruar se qeveria është në përfundim të kuadrit të nevojshëm ligjor për këtë sektor. Berisha ka bërë të ditur dje në mbledhjen e grupit parlamentar se, gjatë punimeve të Forumit Ekonomik të Davosit, ka marrë pjesë edhe në panelet ku temë qendrore ka qenë diskutimi i ndryshimeve klimaterike, si dhe pasojat që ato sjellin. "Në Davos u diskutuar edhe për klimën dhe pasoja e ndryshimit të klimës. Të pakta janë vendet që kanë pasur pasojat më të rënda nga ndryshimi i klimës, sesa Shqipëria. Nuk ka vend që emeton më pak dioksid karboni, por që merr pasojat më të rënda të tij sesa Shqipëria",- tha Berisha. Ai u ndal dhe në rëndësinë e energjisë nukleare, të cilën e vlerësoi si mënyrën më të mirë për të ulur emetimin e gazit karbonik. "Shpreha hapur pikëpamjen time për energjinë nukleare, si mënyra më e mirë, më e shpejtë dhe më e fuqishme për të ulur emetimin e gazit karbonik",- tha Berisha. Ai tha se, ka siguruar bashkëbiseduesit se Shqipëria do të vazhdojë përpjekjet për të plotësuar sa më shpejt kuadrin ligjor dhe të procedojë në bazë të interesit të tregut për ndërtimin e centralit bërthamor. "Unë natyrisht paraqita, gjithashtu, sikundër pasojën e dytë të madhe, jo vetëm në Shqipëri, politikën e subvencionimit të etanolit me grurë dhe misër. Politikë, e cila absolutisht kërcënon miliarda njerëz me vështirësi serioze dhe kjo për të ulur emetimin e gazit karbonik. Unë bëra thirrje në mbledhjen më kryesore, që kjo të hiqet nga rendi i ditës. Subvencioni për të lashtat dhe drithërat për t'i kthyer ato në metanol, sigurisht, i bën shumë më të leverdishme sesa për grurë dhe miell",- u shpreh Berisha.