Dukagjini në pranverë pa energji elektrike
Vendimi i KESH-it, pas mosshlyerjes së faturave nga ana e banorëve. Kiri: Niveli i arkëtimeve, zero
Shkodër-Komunat e zonës malore të Dukagjinit në rrethin e Shkodrës nuk do të kenë energji elektrike sapo të fillojë pranvera. Këtë e ka deklaruar drejtori rajonal i KESH-it,në Shkodër, Nesti Kiri, i cili ka theksuar se megjithëse furnizohen me energji elektrike 24 orë, banorët e komunave Shalë, Shosh e Pult në Dukagjin nuk e paguajnë atë. Sipas Kirit, në këto komuna niveli i arkëtimeve të energjisë elektrike të faturuar është zero dhe sipas një vendimi të drejtorisë së përgjithshme të KESH-it dhe kryeministrisë, me fillimin e pranverës këto komuna nuk do të furnizohen me energji elektrike. Kiri ka shtuar se furnizimi me energji elektrike i banorëve të Dukagjinit bëhet nga hidrocentrali i Ndërlysës, ku përveç komunave Shalë e Shosh tani është shtuar dhe komuna Pult me tendencën e ardhshme të përfshirjes së furnizimit nga ky hidrocentral dhe të komunës Postrribë. Por mospagesa e energjisë elektrike, e cila prej kohësh është në nivelin zero, bën që KESH të marrë një vendim të tillë, menjëherë pas përfundimit të stinës së ftohtë, ku një pjesë e këtyre zonave përballen dhe me bllokime. Problemi i nivelit të ulët të arkëtimeve të energjisë elektrike ndeshet dhe në komunat e tjera. Sipas Kirit, bashkia Shkodër e ka 60.4 % nivelin e arkëtimit të energjisë elektrike të konsumuar; komuna Hajmel 25.5 %; komuna Vig Mnelë 1.8 %; komuna Bushat 33.4 % etj. "Ka një mungesë bashkëpunimi nga institucionet buxhetore, pasi jo të gjithë punonjësit e këtyre institucioneve i paguajnë faturat e energjisë elektrike. Sikur kjo të ndodhte, përqindja e arkëtimit të energjisë elektrike të faturuar në territorin e bashkisë Shkodër do të rritej dhe 5%"- thotë Kiri. Sipas tij, mjaft punonjës buxhetorë e fshehin mospagesën e energjisë elektrike nën emrat e personave të tjerë, të afërm të tyre që i paguajnë, por që në të vërtetë nuk jetojnë me ta. Komunat e zonës së Dukagjinit janë ndër më të varfrat në të gjithë vendin dhe sipas banorëve të kësaj zone që përballet me vështirësi e varfëri të madhe, energjia elektrike është në parametra të ulët cilësorë, pa folur për defektet e shumta në linja apo shtylla.