Shemben masivi i dheut në Bulqizë, vdes minatori
Babai i katër fëmijëve, Hekuran Gjata, viktima e 7 në minierën e Bulqizës. E zuri dheu në zonën D
BULQIZË- Shënohet viktima e shtatë në minierën e Bulqizës. Në radhën e atyre që kanë humbur jetën në "zgafellat" e mbidheshme të nëntokës ka qenë babai i 4 fëmijëve, Hekuran Gjata. Ai nuk punonte në galeritë e minierës, por ashtu si dhe qindra banorë të tjerë deri tek fëmijë fare të mitur 8-9 vjeçar, për të ushqyer familjen, kanë hapur një "minierë" të re mbitokë, tek stoku që ndodhet buzë minierës dhe ngjitur me qytetin. I dëmtuar nga shembja e masivit mbeti dhe minatori tjetër Musa Musai, por jashtë rrezikut për jetën.
***
Ngjarja ndodhi rreth orës 14.00 kur ish-minatori me përvojë nëntokë Hekuran Gjata, banues në qytetin e Bulqizës, ka gjetur vdekjen nga një shembje masivi dheu e kromi të përzier bashkë. Policia e Bulqizës njoftoi se Hekuran Gjata u aksidentua rreth orës 14.00 në "zonënD" të minierës së vjetër, në afërsi të pusit aktual të minierës së kromit. Ka qenë një masiv i madh materiali që është shkëputur nga stoku i stërmadh ku qindra banorë gërmojnë për të nxjerrë "kokrra" kromi, e ka zënë përposht Hekuran Gjatën, duke e dëmtuar rëndë në kokë dhe në disa pjesë të tjera të trupit. Zënia poshtë ka bërë që atij t'i bllokohet dhe frymëmarrja që ka sjellë asfiksi të plotë të tij.
**
Ndërhyrja e të pranishmëve për t'i shpëtuar jetën ka rezultuar e pasuksesshme. Punëtorët e tjerë që ishin aty vetëm kanë mundur ta nxjerrin nga masivi që e kishte zënë, por në pak minuta gjatë rrugës për në spital ka ndërruar jetë. Masivi shkëmbor dëmtoi dhe 50-vjeçarin Musa Musai, por gjendja e këtij të fundit nuk ka qenë aq kritike, sa ajo e Hekuran Gjatës. Të dy të dëmtuarit janë dërguar me urgjencë në spitalin e qytetit, por Hekuran Gjata pas disa minutash rruge ka humbur jetën pa arritur tek spitali. Ndërkohë që punëtori tjetër Musai është nisur për në spitalin ushtarak Tiranë në gjendje kome. Policia lokale dhe prokuroria e rrethit Dibër pas ngjarjes së rëndë ka nisur hetimet. Janë thirrur drejtues të minierës, dëshmitarë okularë dhe po hetohet intensivisht për të zbardhur vdekjen e radhës në minierat e kromit Bulqizë. Edhe pse miniera e Bulqizës, si ajo e nëntokës dhe e mbitokës, vazhdon të përpijë jetë njerëzish, deri më tash nuk ka asnjë person të ndëshkuar nga drejtësia.
Viktimat e minierës
Avni Duriçi
Besnik Alliu
Zaim Hysa
Hysen Elezi
Medi Jani
Sami Doga
Hekuran Gjata