E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruaja më helmoi me lëngun e portokallit

Dëshmia e burrit
Fjalët e fundit të gruas: Duhet të vdesim që të dy. Unë tashmë e kam marrë këtë vendim. Burri: Ajo nuk donte të rrisnim një fëmijë tjetër në këto kushte
DEVOLL- Tragjedia e dy ditëve më parë në Devoll ka ardhur si pasojë e depresionit të shkaktuar nga kushtet e vështira ekonomike. Lindja e një fëmije do të ishte konsideruar si një gëzim i madh pothuajse në të gjitha familjet shqiptare por gjendja e vështirë ekonomike që po përjetonte familja Rusi ka detyruar gruan shtatzënë të vetëflijohet. Vetë nëna e viktimës ka konfirmuar këtë fakt, duke treguar se bija e saj kishte një jetë shumë të vështirë me tre fëmijë ende të parritur. Akti makabër i vetëvrasjes ka qenë tërësisht ide e gruas, e cila e lodhur nga sherret me të shoqin për shtatzëninë e padëshiruar, ka pirë helmin por edhe i ka dhënë atij një lëng frutash brenda të cilit kishte hedhur edhe pesticidin. "Duhet të vdesim që të dy. Unë tashmë e kam marrë këtë vendim",- kanë qenë fjalët e fundit të Afërdita Gurit përpara se të vdiste.
***
Guri Rusi rri me duart në kokë, i ulur pranë stufës dhe me një fytyrë të mbushur me pikëllim duke mos pasur frymë të flasë për asgjë që ka ndodhur dhe përjetuar. Ndonëse ka shpëtuar nga vdekja ai nuk ka mundur ende të marrë veten. Të paktë janë njerëzit brenda mureve të shtëpisë që kanë parë një tragjedi të pazakontë, ndërsa tre fëmijët e çiftit Rusi më e madhja e të cilëve është vajza e tyre 13- vjeçare janë mbledhur me njëri-tjetrin duke parë në heshtje dhe dëgjuar se çfarë flisnin më të mëdhenjtë. Varfëria duket se është ulur këmbëkryq në këtë familje. Shtëpia që gjendet në mes të fshatit Vishocicë në Devoll është në një farë mënyrë edhe shkaku i kësaj tragjedie ku gruaja shtatzënë nuk ka mundur më të jetojë pasi nuk mund të sillte në jetë dhe një foshnjë të pafajshme për ta rritur në kushte të tmerrshme.
***
Dëshmia në policinë e Korçës e 47- vjeçarit Guri Rusi ka qenë tepër e papritur për hetuesit. Burri mësohet të ketë thënë se nuk ka pasur dijeni që gruaja e tij kishte pirë pesticid, madje ajo vetë i ka ofruar lëngun e frutave për ta pirë. Në dëshminë e tij në polici, 47- vjeçari Guri Rusi, ka rrëfyer se si ka nisur sherri në lidhje me shtatzaninë gruas së tij, e cila nuk donte ta sillte beben në jetë. Duke iu referuar burimeve të policisë së Korçës, 47- vjeçari që ka lënë spitalin e Korçës paraditen e djeshme është mashtruar nga bashkëshortja e tij 34- vjeçare tashmë e vdekur. Ata fillimisht janë grindur dhe kanë nisur të debatojnë ashpër për fëmijën që do të lindte pas dy muajsh. Gjatë kësaj kohë gruaja kishte mbushur dy gota me lëng frutash, brenda të cilave kishte hedhur helmin, dhe njërën prej tyre ia ka servirur të shoqit.Burri viktimë e gruas së tij, e ka pirë atë, ndërsa në moment ka kuptuar se lëngu i portokallit ishte i helmuar. Ndonëse është përpjekur të marrë shpjegime nga Afërdita, gjendja e saj ishte duke u rënduar pasi kishte konsumuar një dozë shumë më të madhe pesticidi. Nëna e tre fëmijëve i ka thënë të shoqit se duhet të vdisnin të dy, vendim që e kishte marrë ajo vetë, ndërsa më pas ka rënë përtokë duke shkumëzuar. Bashkëshorti që ka mbetur i ve thotë se gruaja e ka gënjyer, ndërsa ka dashur të abortojë fëmijën që ishte në barkun e saj, duke mos pranuar ta sillte në jetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›