Hidhet nga kati i V piktori 44-vjeçar
Humbja e studios të pikturës duket se e ka shtyrë Ylli Skënderin drejt vetëvrasjes
TIRANË- Një piktor i jep fund jetës, duke u hedhur nga kati i pestë i pallatit ku banonte, për motive ende të pasqaruara. Megjithatë, humbja e studios së pikturës dyshohet t’i ketë dhënë goditjen e fundit piktorit Ylli Skënderi, 44-vjeç, i cili vendosi t’i japë fund jetës në mes të Tiranës. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 21:00, tek blloku i pallateve Shallvare në rrugën “4 Dëshmorët” në Tiranë, kur Ylli Skënderi me profesion piktor është hedhur nga kati i pestë i pallatit ku banonte. Efektivat e policisë mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat. Burime nga policia thanë se nga hetimet e para dyshohet se piktori 44-vjeçari Ylli Skënderi është vetëhedhur nga dritarja e banesës së tij. Ai ka marrë plagë të rënda të cilët i shkaktuan vdekjen e menjëhershme. Mësohet se megjithëse zona ku ndodhi ngjarja është e populluar në atë orë, asnjë person nuk rezulton te ketë parë piktorin kur është vetëhedhur nga lartësia. Skënderi është gjetur pak çaste më vonë të dergjej në trotuar, pa shenja jete. Pas lajmërimit, grupi hetimor rrethoi zonën për të bërë këqyrjen e provave. Polici mori në pyetje familjarët e të ndjerit për të zbardhur rrethanat që çuan piktorin Ylli Skënderi t’i jepte fundit jetës. Burime nga policia thanë se nga dëshmia e familjarëve mësohet se Skënderi nuk ka pasur ndonjë motiv që do të justifikonte sadopak veprimin fatal të tij. Gjithashtu, familjarët shtojnë se ai nuk kishte shfaqur shenja depresioni që në kushte të tilla mund të detyrohej t’i jepte fund jetës. Megjithatë, policia thotë se po hetohet në disa pista paralele për të zbuluar shkakun që çoi në vetëflijim piktorin. Një nga pistat kryesore është profesioni i tij në të cilën duket se kohët e fundit, 44-vjeçari po dështonte. Nga familjarët policia ka mësuar se Ylli Skënderi posedonte një studio pikture në rrugën e “Kavajës” në Tiranë. Kohët e fundit, 44-vjeçari nuk po siguronte të ardhura nga studioja për të mbajtur familjen. Por pavarësisht kësaj, familjarët thanë se ai nuk e kishte shfaqur mërzinë që i shkaktonte humbja e studios. Trupi i pa jetë i piktorit u transportua në morgun e spitalit për ekzaminime të mëtejshme. Ndërsa policia ende nuk ka përfunduar hetimet, por po punon për të zbardhur me saktësi shkakun që detyroi piktorin 44-vjecar të vetëhidhej nga kati i pestë i pallati. Mësohet se 44-vjeçari ka dy djem, njëri prej të cilëve punonte në një lokal pranë pallatit ku banonte.