E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Fullanit: Rritja e interesave, vendim i gabuar

Ulja e interesave për lekun ul koston e borxhit dhe mban në ritme të larta kërkesën në ekonomi
Qeveria presion BSH-së që të ulë interesat për lekun gjatë muajve në vazhdim
Rritja e interesave të monedhës vendëse lek gjatë vitit 2007, ka qenë një vendim që nuk gjen asnjë argument dhe është në kundërshtim me konjunkturën në tregjet ndërkombëtare. Duke cituar thëniet e shefit të Federal Reserve Ben Bernanke, Berisha ka bërë një paralelizëm që duket i vështirë që të ekzistojë midis dollarit dhe lekut. Sipas deklaratave të Kryeministrit, të bëra gjatë ceremonisë së organizuar me rastin e fillimit të funksionimit të Regjistrit të Kredive, Fullani duhet të ndiqte Bernanken dhe të ulte interesat për lekun e jo t'i rriste ato tri herë radhazi. Leksioni i Berishës për BSH-në, jepet në një kohë që ky institucion është nga të paktët që, në pavarësinë e tij, nuk është përfshirë nga ristrukturimi sipas ngjyrave politike gjatë këtyre dy viteve të fundit.
Rritja e interesave dhe inflacioni
Banka e Shqipërisë, tashmë prej vitesh në instrumentet e saj më efikas të ndërmjetëm për kontrollin e inflacionit ka interesin e lekut. Përdorimi i normave të interesit për të kontrolluar inflacionin, që është edhe detyrimi kryesor ligjor i BSH-së, vendoset nga Bordi i këtij institucioni që është i pavarur me ligj. Me heqjen e kontrollit të drejtpërdrejtë mbi masën e kreditimit nga ana e bankave të nivelit të dytë, vendimi për të kufizuar ofertën për kredi mund të realizohet vetëm nëpërmjet normës së interesit të lekut, që është një ekskluzivitet i BSH-së. Gjatë vitit 2007 pati një kërcim të inflacionit sipër nivelit të BSH-së, duke e detyruar këtë të fundit të rrisë interesat për lekun, në mënyrë që të frenonte kredinë, që është një nga faktorët kryesorë të rritjes së kërkesës në ekonomi. Por rritja e interesave të lekut duket se nuk i ka pëlqyer qeverisë, pasi rrit koston e borxhit dhe sjell një ulje të ritmit të kreditimit.
Box
BSH: Regjistri i Kredive rrit sigurinë
Bankat e nivelit të dytë, që prej datës 3 janar kanë në zotërim Regjistrin elektronik të Kredive, duke krijuar më shumë siguri në të dhënat që ato disponojnë për klientët. "Përmirësimi i informacionit ndikon në reduktimin e kostove të institucioneve financiare kredidhënëse, që lidhen me kohën e analizës dhe pasojat e vendimeve të gabuara në fushën e kreditimit. Në një treg i cili shfaq nivele të kënaqshme konkurrence në fushën e kreditimit, funksionimi i regjistrit të kredive përmirëson aksesin në financim të kredimarrësve të ndryshëm, si dhe ndikon në uljen e normës së interesit të kredisë",- ka bërë të ditur gjatë këtij takimi Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani. Por ky sistem i ri informacioni është vlerësuar nga ana e pjesëmarrësve në këtë takim jo vetëm për efektet pozitive që ai mbart në bankat e nivelit të dytë, por edhe për lehtësitë në rolin e BSH-së. "Për Bankën e Shqipërisë, si autoriteti rregullativ dhe mbikëqyrës i sektorit bankar, Regjistri i Kredive ofron një instrument shtesë dhe mjaft të dobishëm për të thelluar analizën e saj, jo vetëm në drejtim të vlerësimit të cilësisë së përgjithshme të portofolit të kredisë, por edhe në drejtim të evidentimit të përqendrimeve të kredisë sipas bankave dhe subjekteve kredimarrëse, të vlerësimit të detajuar të ekspozimit të bankave dhe të subjekteve kredimarrëse ndaj financimit sipas monedhave, të vlerësimit të detajuar të llojit të kolateraleve dhe të garancive të përdorura, të evidentimit të lidhjeve që ekzistojnë midis subjekteve të ndryshme kredimarrëse etj. Këto janë fenomene të cilat shoqërojnë veprimtarinë e kreditimit dhe që kërkojnë një monitorim të kujdesshëm nga bankat tregtare dhe Banka e Shqipërisë, për të njohur rreziqet që përmbajnë dhe për të vepruar për zbutjen e këtyre rreziqeve",- ka sqaruar Fullani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›