Apeli i gruas: Dënoni vrasësin e burrit tim
Shkodër, bashkëshortjaTeuta Ujkashi e të vrarit në vitin 2006 i dërgon letër institucioneve më të larta të Drejtësisë
SHKODËR- Të pakënaqur me vendimet e dhëna nga gjykatat e dy shkallëve në Shkodër, familjarë tëtë ndjerit Ferit Ujkashi, i vrarë më vitin 2006, i janë drejtuar organeve të larta të drejtësisë në kërkim të vendosjes së drejtësisë. Sipas familjes Ujkashi, gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit në Shkodër i kanë dhënë autorit të vrasjes një dënim të ulët prej vetëm 10 vjet e tetë muaj burgim. Në dhënien e këtij dënimi, sipas familjarëve të të vrarit, gjykatat në Shkodër kanë anashkaluar ligjin për cilësimin juridik të veprës penale dhe e kanë cilësuar atë si vrasje me dashje e jo siç ka qenë të vërtetë vrasje me paramendim.
Teuta Ujkashi , bashkëshortja e viktimës, në letrën drejtuar autoriteteve të larta të drejtësisë shprehet se dhe nga faktet e provat e sjella nga prokuroria e Shkodrës, rezulton se i dënuari Lulzim Ramaj e ka kryer vrasjen me paramendim dhepikërisht për këtë prokurori ka kërkuar dënimin e tij me 23 vjetburgim. Gjykata e shkallës së pare në Shkodër, me vendimin e saj nr 403, date 27.12.2006 e ka dënuar Lulzim Ramajn me 16 vjet burgim përvrasje me dashje dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar e ka dënuar përfundimisht me 10 vjet e 8 muaj burgim, teksa prokuroria kishte kërkuar dënimin me 23 vjet për vrasje me paramendim. Prokuroria e Shkodrës nuk është pajtuar me këtë vendim dhe e apeloi duke kërkuar ndryshimin e vendimit të gjykatëssë shkallës së parë në Shkodër lidhur me cilësimin juridik të veprës penale, masën e dënimit dhe përcaktimin e vendit të vuajtjes së dënimit. Gjykata e Apelit në Shkodër, me vendimin nr 150 datë 20.09.2007 vendosi lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë në Shkodër, madje prishi dhe vendimin e dënimit prej gjashtë muajsh të dhënë nga kjo gjykatë për Lulzim Ramën për mbajtje pa leje të armëve të gjahut.
Teuta Ujkashi, bashkëshortja e viktimës, kërkon që organet e autoritetet e larta të drejtësisë të ndërhyjnë për të vënë në vend drejtësinë. Sipas provave të prokurorisë, e cila e ka dërguar tashmë çështjen në gjykatën e lartë, rezulton se vrasja e Ferit Ujkashit është bërë me paramendim. Autori pasi është grindur me një bashkëfshatarin e tij në fshatin Razëm, e ka spostuar grindjen tek Ferit Ujkashi, i cili vetëm sa kishte ndërhyrë për t'i ndarë. Megjithatë viktima , siç ka rezultuar dhe gjatë procesit gjyqësor dhe është pohuar nga dëshmitarët okularë, është larguar tek vendi i tij i punës, pa i kthyer përgjigje fyerjeve e sharjeve të autorit. Ndërsa autori Lulzim Ramaj ka shkuar në shtëpinë e tij dhe pasi ka marrë armën e gjahut është kthyer tek vendi i ngjarjes pas 30 minutash, ku dhe ka qëlluar duke vrarë Ferit Ujkashin. Dhe në pretencën e prokurorisë është theksuar se qëllimi i autorit ka qenë vrasja e viktimës, dhe ai ka pasur kohë për ta përgatitur atë. Teuta Ujkashi, në apelin e saj shprehet se "kërkojqë ju si organe të larta të drejtësisë të ndërhyni për të vendosur drejtësinë duke rritur besimin tek institucionet shtetërore dhe tek ligji, në mënyrë që qytetari të ndihet i sigurt dhe fajtorët të marrin dënimin e merituar. Do t'ju kujtoja organeve tuaja si organe kontrolluese të gjyqësorit që këto vendime që zbusin dënimin e kërkuar nga organi iakuzës nuk i shërbejnë zbutjes së klimës por krijojnë premisa për zhvillimin e mëtejshëm të konfliktit".