Shkup, protesta në mbrojtje të shtëpisë së Nënë Terezës
Lëvizja "Zgjohu" njofton Selinë e Shenjtë në Vatikan mbi projektin maqedonas për prishjen e shtëpisë së Shenjtores
MAQEDONI- Vendimi për ngritjen mbi themelet e shtëpisë së Nënë Terezës në Shkup të një kishe ortodokse ka sjellë një revoltë të madhe tek shqiptarët e Maqedonisë. Për këtë çështje është parashikuar që sot të zhvillohet një protestë e iniciuar nga lëvizja qytetare "Zgjohu". Kjo protestë është mbështetur edhe nga partitë shqiptare në Maqedoni. Lëvizja "Zgjohu" ka njoftuar edhe Selinë e Shenjtë në Vatikan për këtë çështje dhe tashmë është në pritje të reagimit të saj.
Pak kohë më parë, zëdhënësi i qeverisë maqedonase, Ivica Bocevski, ka publikuar projektin që parashikon ngritjen e një kishe ortodokse mbi themelet e shtëpisë së Nënë Terezës në Shkup. Të parët që reaguan kundër për këtë çështje ishin historianë të ndryshëm, të cilët i kërkuan qeverisë maqedonase anulimin e projektit. Por dje kanë reaguar ashpër edhe qytetarët e Shkupit. Të kryesuar nga lëvizja qytetare "Zgjohu", ata kanë paralajmëruar zhvillimin e një mitingu proteste gjatë paradites së sotme. Mitingu do të zhvillohet në Shkup dhe pritet që të marrin pjesë qytetarë të ndryshëm por edhe përfaqësues të partive politike shqiptare në Maqedoni. "Së pari, thotë kryetari i lëvizjes qytetare "Zgjohu" Artan Grupi, menjëherë nëpërmjet postës elektronike kemi njoftuar Selinë e Shenjtë në Vatikan, trupin Diplomatik në Maqedoni si dhe trupin Diplomatik të SHBA-së dhe Britanisë në Vatikan si dhe Dom Lush Gjergjin, personin e vetëm të caktuar nga Vatikani për të shkruar jetën dhe veprën e Nënë Terezës". Kryetari i Lëvizjes qytetare "Zgjohu" Artan Grupi, thotë për gazetën se kjo shtëpi është lënë në harresë nga shteti maqedonas dhe në të ka vetëm një pllakë përkujtimore. "Atje ku kanë qenë themelet e shtëpisë duhet të rindërtohet shtëpia me të gjithë madhështinë e saj. Në vend të rindërtohet shtëpia e Nënë Terezës mbi themelet ekzistuese, ofrohet nga qeveria një vendim absurd për t'i ndërruar tërësisht frymën këtij vendi prej nga u lartësua në të gjithë botën dashuria e pakufishme njerëzore. Ne do të shfrytëzojmë të gjitha mjetet demokratike duke nisur nga dita e hënë me protesta masive për të kundërshtuar çdo tentativë që synon të cenojë njërën nga figurat më të çmuara për shqiptarët",- thotë kryetari i lëvizjes qytetare "Zgjohu", Artan Grupi. Protesta do të zhvillohet pranë shtëpisë së Nënë Terezës.
Ndërkohë burimet pohuan se Selia e Shenjtë në Vatikan është alarmuar dhe ka shprehur një shqetësim serioz për këtë vendim të qeverisë maqedonase. Qëndrimeve kundra këtij projekti i janë bashkuar edhe partitë shqiptare në Maqedoni. Partia Bashkimi Demokratik për Integrim ka protestuar ashpër pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan për këtë vendim të padrejtë. Ndërkohë Partia shqiptare e BDK në Maqedoni është shprehur se kjo tentativë e qeverisë ka si qëllim që qytetin e Shkupit ta shndërrojë në një qytet Sllavo –Ortodoks, i cili ka filluar që me vendosjen e kryqit në Vodno.