Tepelenë, arrestohet dhunuesi i kryeplakut
TEPELENË- Ndalohet agresori i kryeplakut të fshatit Maricaj në rrethin e Tepelenës. Burime zyrtare policore bënë të ditur për "Shekullin" se nga specialistët e Sektorit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër në bashkërendim me Komisariatin e Policisë Tepelenë, pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe punës profesionale të bërë nga këta të fundit është bërë e mundur kapja dhe ndalimi ishtetasit Ilmi Tringa, 47 vjeç. Mësohet se Tringa, i cili vuan edhe nga probleme mendore qysh pas konfliktit me kryeplakun Jonuz Velaj ka qëndruar i fshehur në pyllin e fshatit, ku edhe u kap. Mbi të rëndon akuza e vrasjes me dashje, mbetur në tentativë. Ngjarja zë fill tre ditë më parë, ku një debat ndërmjet dy bashkëfshatarëve degjeneroi në dhunë, prej nga kryeplaku i fshatit Maricaj mbeti i plagosur rëndë, për shkak të plagëve të marra nga një sëpatë.