Shkodër, fëmijët gjejnë dy arka me predha luftarake
Predhat janë gjetur në livadhet e ish- ndërmarrjes së zooteknikës, ku po luanin fëmijët. Policia i merr në administrim
SHKODËR- Një grup fëmijësh në qytetin e Shkodrës kanë gjetur pasditen e djeshme dy arka me predha luftarake tepër të rrezikshme. Për fat të mirë fëmijët janë treguar të kujdesshëm dhe nuk i kanë prekur predhat luftarake por kanë njoftuar menjëherë prindërit e tyre. Ngjarja që mund të kishte përfunduar në një tragjedi ka ndodhur në lëndinat e lagjes "Guerile" teksa fëmijët po luanin. Predhat janë administruar më pas nga policia lokale dhe ekspertët xhenierë të ushtrisë, të cilët kanë bërë fillimisht neutralizimin e tyre.
Fëmijët e lagjes "Guerile" në qytetin e Shkodrës kishin zgjedhur si një vend të mirë për të kullotur bagëtitë livadhet e ish- ndërmarrjes së zooteknikës, të cilat ndodhen shumë pranë banesave të tyre. Pasditen e djeshme një grup fëmijësh kishte lënë bagëtitë të kullosnin dhe vetë kishin nisur të luanin. Papritur njëri prej tyre ka parë dy arka, të cilat ndodheshin pranë një shkurreje. Kurioziteti ka bërë që të gjithë fëmijët të mblidheshin pranë tyre dhe kur janë afruar kanë zbuluar se arkat ishin të mbushura me predha luftarake. Për fat të mirë fëmijët i kanë njohur predhat dhe nuk i kanë prekur. Ata janë larguar nga vendi ku kanë gjetur predhat dhe disa prej tyre kanë shkuar të alarmuar në shtëpi. Ata kanë njoftuar prindërit për atë që kanë gjetur dhe të mëdhenjtë kanë shkuar dhe kanë parë arkat. Ata kanë lajmëruar policinë lokale për prezencën e predhave dhe kanë pritur deri sa kanë mbërritur ekspertët.
Burimet e policisë lokale të Shkodrës pohuan mbrëmjen e djeshme se predhat luftarake të gjetura nga fëmijët e lagjes "Guerile" ishin në gjendje pune dhe tepër të rrezikshme. Ata kanë thërritur ekspertët e çminimit, të cilët kanë bërë neutralizimin e predhave duke i kthyer në gjendje jo aktive. "Predhat janë marrë me kujdes dhe janë administruar nga ekspertët xhenierë. Ne kemi nisur hetimet në lidhje me to",- thanë dje burimet e policisë lokale. Sipas tyre, ende nuk është mësuar se kush i ka lënë këto predha të rrezikshme në një vend të tillë. Lagjja "Guerile" në Shkodër nuk ka asnjë repart ushtarak pranë saj por ajo njihet si një nga zonat që në vitin 1997 janë fshehur një sasi e madhe armësh dhe municionesh luftarake. Pikërisht për këtë arsye hetuesit mendojnë se predhat janë marrë gjatë asaj kohe nga ndonjë banor i zonës por tashmë ai ka vendosur që t'i hedhë ato duke i lënë në livadhet e ish- ndërmarrjes së zooteknikës.