E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i krimeve të rënda lë të lirë Sefgjinin dhe Koldashin



Tiranë - Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda do të rishqyrtojë masën e sigurisë 'arrest shtëpie' për Arben Sefgjinin dhe Avni Koldashin, dy prej 4 të pandehurve të çështjes për zhdukjen e biznesmenit maqedonas Remzi Hoxha. Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda liroi dje nga masa e sigurisë 'arrest shtëpie' dy të pandehurit që u paraqitën në seanca të veçanta, duke kërkuar njëkohësisht nga gjykata e shkallës së parë rishqyrtimin e kësaj mase me arsyetimin se në dhënien e saj janë konstatuar shkelje procedurale. Fillimisht në seancë u paraqit Arben Sefgjini. Në seancën gjyqësore që nuk ka zgjatur më shumë se 20 minuta, trupi gjykues i Gjykatës së Krimeve të Rënda të Apelit, ka pranuar kërkesën e të pandehurit Sefgjini dhe të avokatit të tij mbrojtës për heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie”, që u dha tre javë më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda. Në seancën e sotme, Sefgjini, drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, shoqërohej nga avokati i tij mbrojtës, Zef Nika, i cili paraqiti para trupit gjykues kundërshtimet lidhur me masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Sipas avokatit, Sefgjini nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore dhe nuk ka rrezik që të largohet nga Shqipëria për mos marrë më pjesë në procesin që po zhvillohet ndaj tij. Ai e quajti të padrejtë vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, duke pretenduar për shkelje procedurale nga organi i akuzës. Përfaqësuesi i akuzës i kërkoi Gjykatës së Apelit që të lihej në fuqi masa “arrest shtëpie” ndaj Sefgjinit, por në përfundim trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën e mbrojtjes, duke prishur vendimin e gjykatës së shkallës së parë. E njëjta procedurë u ndoq dhe për të pandehurin Avni Koldashi. Për çështjen e zhdukjes së biznesmenit maqedonas në vitin 1995 janë të pandehur Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Budjon Meçe dhe Ilir Kumbaro, ish-punonjës të SHIK-ut në atë kohë. Seanca e parë gjyqësore në ngarkim të tyre nisi në 16 maj.

27 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›