Thikë bashkëmoshatarit rival në dashurinë për të njëjtën vajzë
Tiranë – Dy të rinj pretendentë për dashurinë e së njëjtës vajzë e kanë kthyer rivalitetin e tyre në përleshje ku janë përdorur edhe armët e ftohta. Për pasojë njëri prej djemve ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa tjetri ka rënë në prangat e policisë. Burime nga uniformat blu thanë për gazetën se ngjarja mes dy 19-vjeçarëve ka ndodhur dje rreth orës 11:00 në ambientet e jashtme të shkollës së Mesme të Komunës Farkë. Sipas të njëjtave burime pas një grindje për motive të dobëta, është plagosur me armë të ftohtë Dylber Allaraj, 19 - vjeç, banues në Farkë, nxënës i vitit II, pranë kësaj shkolle. Ka nisur prej kohësh rivaliteti i djemve për një 17-vjeçare, “Evën” e dashurisë së tyre. Aq të forta kanë qenë ndjenjat për të sa asnjëri prej djemve nuk ka preferuar të tërhiqet. Dje bashkëmoshatarët kanë vendosur ta përcaktojnë me duel se kujt duhet t’i përkasë vajza. Menjëherë, pas marrjes së informacionit, në vendngjarje mbërritën forca të shumta të policie si dhe Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, duke ndërhyrë dhe kapur autorin e dyshuar të kësaj plagosje, i cili është Miriam Tufa, 19 - vjeç, banues në Farkë.
Paraprakisht, dyshohet se konflikti përmes të dëmtuarit dhe autorit ka qenë një debat me fjalë për motive të dobëta, duke degraduar më pas me grushte dhe armë të ftohtë e llojit thikë.
Aktualisht, i dëmtuari Dylber Allaraj, ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku është duke marrë ndihmën e menjëhershme mjekësore. Ndërsa në cilësinë e provës materiale, autorit të dyshuar ju sekuestrua thika, ndërkohë materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme.
27 Maj 2008