Apeli i të paralizuarit për ministrin Mediu: “Më lironi djalin”
MAMURRAS - Qemal Milla ka 22 vite që është i paralizuar dhe nuk lëviz nga vendi. Ndërsa prej dhjetë ditësh atij i kanë ardhur në ndihmë fqinjët, pasi dhe bashkëshortja e tij, e cila i shërbente, është shtruar në spital në Itali, pasi vuan nga një sëmundje e rëndë. I vetmi person që mund t’i vinte në ndihmë ishte djali i tij 24-vjeçar, Besniku, i cili është rekrutuar në një repart ushtarak në Tiranë. Ai kërkon ndihmën e shtetit, pasi nuk ka kush t’i vijë në ndihmë për asgjë. “Jam aksidentuar para 22 vitesh në punë, teksa punoja në ish-Ndërmarrjen Bujqësore me zetor”, - rrëfen zanafillën e tragjedisë së tij Qemal Milla. Që prej asaj kohe ai nuk ka lëvizur nga krevati. “Deri tani kam pasur përkujdesin e bashkëshortes time, e cila tashmë është e shtruar në spital në Itali në gjendje të rëndë”, - thotë i paralizuari, duke shtuar se gruaja e tij vuan nga mpiksja e gjakut në trup dhe bllokim i një nga arteriet e zemrës. “Para një viti, nisur edhe nga rëndimi i sëmundjes së bashkëshortes time Terezinës, kam kthyer djalin nga emigracioni, ku ishte në Itali për të na shërbyer, por me të ardhur, e morën ushtarë”, - vijon rrëfimin i sëmuri. “Ka 9 muaj e dhjetë ditë që është nën armë. Aktualisht kam mbetur pa asnjë përkrahje dhe përkujdesje në shtëpi. Janë komshinjtë që më gatuajnë, më japin të ha dhe më ndihmojnë. “Kjo gjendje më ka detyruar t’i kërkoj ministrit të Mbrojtjes dhe repartit ushtarak ku kryen shërbimin që të më lirojnë djalin”, - thotë Dilla. Mjeku i familjes, Ardian Doçi, shprehet se “Qemali ka 22 vite i paralizuar dhe tani përveç kësaj sëmundjeje, i janë shtuar edhe problemet me veshkat dhe gjendja e tij shëndetësore sa vjen e rëndohet”. Sipas mjekut, i sëmuri ka nevojë për përkujdesje vetjake dhe njerëz për t’i shërbyer”. Edhe kryetari i Bashkisë së Mamurrasit, Dedë Ndreca, shprehet se është njohur me problemin e Qemalit dhe se i ka kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes që të bëjë të mundur lirimin e djalit të Qemalit, Besnikut, nga ushtria, për t’i ardhur në ndihmë 65-vjeçarit, por kjo kërkesë akoma nuk është marrë parasysh.
15 Shkurt 2008