KSSH-ja, protesta kundër rritjes së çmimeve
Protestat kundër rritjes së çmimeve dhe varfërisë do të mbulojnë rrugët e qyteteve të vendit, por kjo pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, “për të ruajtur të gjalla ndjenjat e nacionalitetit”. Ky ka qenë vendimi i sindikalistëve që duket se kanë vendosur të protestojnë për krizën ekonomike në vend, por vetëm pasi Kosova të marrë emrin Republikë. Këtë gjë e ka bërë dje publike, me anë të një deklarate, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, ku kreu i saj, Kol Nikolli, tha: “Gjendja e rënduar nga çmimet ka vetëm një shkak, mungesën e ndërhyrjes nga ana e qeverisë”. Sipas KSSH-së, gjendja e varfërisë do të marrë STOP-in e parë kur të fillojnë protestat masive që do të vënë nën presion qeverinë. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë ka deklaruar se do të nisin protestat masive për krizën ekonomike të krijuar nga rritja e çmimeve të produkteve bazë, rritja e kostove të shërbimeve dhe e lëndëve djegëse.
15 Shkurt 2008