E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen pijet pa etiketë dhe alkool metilik, 2 në pranga

VLORË – Një tjetër aksion kundër produkteve të falsifikuara është regjistruar dje. Seksioni i Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Vlorës bllokoi një sasi të konsiderueshme pijesh alkoolike pa pullë fiskale, ndërsa nën hetim lidhur me këtë ngjarje janë vënë dy persona G. Kalemaj dhe M. Rrapushi. Sipas policisë lokale, dje, “pas një kontrolli në automjetin dhe punishten me pronar shtetasin G. Kalemaj, janë gjetur dhe sekuestruan 590 litra pije alkoolike të llojit konjak, fërnet, vodkë, uzo, të ambalazhuara në shishe qelqi, në të cilat mungonte pulla fiskale e Ministrisë së Financave". Gjetja e pijeve alkoolike pa pullë ka bërë që policia të sekuestrojë dhe dy makineri, që shërbenin për ambalazhim dhe një sasi të konsiderueshme me bidonë, arka, tapa dhe etiketa të pijeve që prodhoheshin nga G. Kalemaj. Sipas policisë, ndaj Kalemajt është ngritur akuza e “prodhimit të kundërligjshëm të pijeve alkoolike, fshehje të të ardhurave dhe mospagim taksash e tatimesh”. Po dje, gjatë një kontrolli në banesën e 58-vjeçarit M. Rapushi, në qytetin e Vlorës, u gjetën dhe sekuestruan edhe 56 litra alkool metilik si dhe pajisje e materiale që shërbejnë për prodhim dhe ambalazhim të pijeve alkoolike. Burimet thanë se Kalemaj dhe Rrapushi do të hetohen në gjendje të lirë.

15 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›