E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Tiranës, 130 të dënuar kërkojnë ulje të dënimit

Tre aksidente tragjike me pasojë vdekjen e dy personave dhe plagosjen e më shumë se 8 personave të tjerë kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit. Ngjarjet e rënda janë shënuar në akset rrugore në rrethet e Lezhës, Gjirokastrës, Peqinit etj. Burimet policore bëjnë të ditur se disa prej viktimave janë shkaktuar teksa po festonin ditën e Shën Valentinit.
Aksidenti i parë tragjik ditën e të dashuruarve ndodhi në Gjirokastër dhe tjetri në Lezhë, ku raportohet se dy persona kanë humbur jetën. 18-vjeçarja Adela Cacaj ka mbetur viktimë e aksidentit automobilistik në Libohovë, pasi makina që drejtohej nga i dashuri i saj, 25-vjeçari Martin Shanaj, ka dalë nga rruga duke thyer bordurën anësore dhe ka fluturuar për afro 70 metra, për t’u ndalur me pas në një fushë. Tragjedi për Shën Valentin Burime nga policia pohojnë se dy të dashuruarit kanë drekuar në një lokal të Libohovës. Sipas policisë së Gjirokastrës, i riu, i cili ka qenë edhe drejtuesi i automjetit, ka qenë nën efektin e pijeve alkoolike dhe, për pasojë, ka humbur kontrollin e autoveturës që ai drejtonte. Pak çaste pas përmbysjes serbatori i makinës ka shpërthyer dhe makina është përfshirë nga flakët, ndërsa brenda saj ndodhej edhe gjimnazistja, trupi i së cilës është djegur plotësisht. Ndërsa 25-vjeçari ka mundur të dalë nga makina dhe aktualisht ndodhet i shtruar në Spitalin e Gjirokastrës me plagë të lehta djegieje në trup. Policia ka qenë e pranishme në momentin e shpërthimit, bëjnë të ditur burime të policisë së këtij rrethi, por nuk ka mundur të shpëtojë vajzën brenda në makinë. Një nga dëshmitarët okularë, i cili ka ndodhur në momentin e aksidentit, shprehet se “në momentin që 25-vjeçari i mbijetuar ka dalë nga makina, ka dëgjuar zërin e vajzës që i lutej për ndihmë, por ai, në gjendje të dehur, nuk ka mundur ta ndihmojë atë”.
Aksidente nga përplasjet
Një tjetër aksident ndodhi dje në fshatin Balldren të Lezhës përgjatë aksit automobilistik Lezhë-Shkodër, ku ka humbur jetën Kujtim Luzi, ndërsa 4 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e përplasjes së 2 automjeteve. Viktima Kujtim Luzi, 34-vjeç, sipas policisë, udhëtonte në makinë me targa të Tiranës 3202 G së bashku me vëllain e tij, që drejtonte autoveturën, ndërsa me mjetin tjetër, tip “Benz” me targa të huaja, udhëtonin tre shtetas, të cilët edhe ata janë plagosur rëndë. Katër të aksidentuarit janë dërguar në Spitalin e Lezhës dhe janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia e Lezhës ka kryer ekspertizën dhe pritet të japë konkluzionet përfundimtare mbi shkaqet e aksidentit tragjik. Po dje, në Peqin, dy vajza, Lindita dhe Blerta Tabaku, ndërsa udhëtonin me babain e tyre, Veli Tabaku, kanë mbetur të plagosura rëndë në orët e para të mëngjes, pasi automjeti me të cilin ato udhëtonin është përplasur me një autoveturë tjetër, drejtuesi i të cilit është Xhevdet Keta. Burime zyrtare të policisë thanë se "aksidenti ndodhi në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në vendin e quajtur Paulesh". Veli Tabaku dhe dy vajzat e tij, Lindita dhe Blerta, udhëtonin me automjetin e tyre me targë PE 19 07 A, kur u përplasën nga një automjet me targë DR 48 52 D, që drejtohej nga Xhevdet Keta, 57 vjeç, me banim në Durrës. Tre të plagosurit janë dërguan në Spitalin kirurgjik të Elbasanit dhe ndodhen në gjendje kritike për jetën, bëjnë të ditur burime të policisë së Elbasanit. Pak minuta pas aksidentit policia arrestoi 57-vjeçarin Xhevdet Keta, pasi sipas ekspertizës së bërë nga policia në vendin e ngjarjes rezultoi të ishte ai shkaktar i aksidentit. Me gjithë alarmin e dhënë, sërish numri i aksidenteve dhe viktimave në rrugët tona mbetet i lartë.

TË VDEKUR
Adelina Cacaj, 18 vjeçe, Gjirokastër
Kujtim Luzi, 34 vjeç, Lezhë

TË PLAGOSUR
Veli Tabaku, Peqin
Lindita Tabaku, Peqin
Blerta Tabaku, Peqin
Afrim Luzi, Lezhë
Jolanda Luzi, Lezhë
Dhori Luzi, Lezhë

15 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›