KLD: “Dualiteti i inspektorateve, çështje e hapur”
Projektligji, një “betejë” pjesërisht e fituar. Pagat e gjyqtarëve, sipas kohës së shërbimit në detyrë
Laureta Rryçi
Tiranë - Këshilli i Lartë i Drejtësisë reagon pas miratimit të projektligjit “Për riorganizimin e pushtetit gjyqësor”. Dje nëpërmjet një deklarate për shtyp u bë publike se KLD-ja e konsideron atë një “betejë” pjesërisht të fituar. Shqyrtimi dhe miratimi i këtij projektligji nga Komisioni i Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, konsiderohet pjesërisht dhe jo plotësisht i fituar, pasi KLD-ja e shikon si ende të pazgjidhur dhe një çështje të hapur dualitetin e inspektorateve. KLD-ja, nëpërmjet drejtores juridike, Ana Shkëmbi, ka përshëndetur iniciativën e këtij Komisioni për të parashtruar përpara Kuvendit përmirësime, të cilat i shërbejnë ndjeshëm një sistemi gjyqësor të pavarur, të mbrojtur dhe profesional.
Reagimi
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vlerësuar parashikimin në këtë projektligj të dy burimeve të përfshirjes në gjykatat e rretheve gjyqësore të shtetasve, të cilët kanë kryer Shkollën e Magjistraturës apo që kanë qenë më parë në ushtrimin e detyrës së gjyqtarit. Ndryshe nga projekti i qeverisë, një parashikim i tillë nuk hermetizon sistemin gjyqësor dhe ka vënë standarde për përzgjedhjen e kandidatëve me përgatitje të lartë profesionale. “Vëmë në dukje përcaktimin në këtë projektligj të mandatit 4-vjeçar të ushtrimit të funksionit drejtues, i cili plotëson vakuumin aktual ligjor dhe është në koherence me shqetësimin disamujor të Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe me vendimin e marrë në mbledhjen e fundit të tij”, - ka vijuar deklaratën e saj drejtoresha Shkëmbi. Komisioni parlamentar pranoi pjesërisht kërkesën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ku me dy dispozita specifike parashikohet rritja e pagave të gjyqtarëve, e lidhur kjo me periudhën e shërbimit të tyre në detyrë. Ky parashikim ka marrë pjesërisht në konsideratë sugjerimet që Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka paraqitur në Komision.
Propozimet
Sipas Shkëmbit, ndryshe nga projekti i prezantuar para Komisionit të Ligjeve nga Ekzekutivi, emërimi i kryetarëve të gjykatave nuk është iniciativë e ministrit të Drejtësisë, por ekskluzivitet i Këshillit të Lartë të Drejtësisë mbi bazën e një konkurrimi të ndershëm, transparent dhe profesional. KLD-ja ka vlerësuar në mënyrë specifike parashikimin e qartë dhe të kategorizuar të shkeljeve disiplinore, i cili, duke parashikuar raste specifike të këtyre shkeljeve, eviton mundësinë e subjektivizmit në rast procedimi disiplinor, duke lehtësuar procesin e shqyrtimit të procedimeve disiplinore nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Megjithatë, sipas Shkëmbit, projektligji nuk ka zgjidhur dualitetin mes dy inspektorateve, atij pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, çështje që mbetet ende e hapur përpara ligjit.
15 Shkurt 2008