E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bilanci, ndalohen 110 emigrantë për kalimin të paligjshëm të kufirit

GJIROKASTËR - Të paktën 110 emigrantë janë ndaluar gjatë muajit janar të këtij viti gjatë tentativës së tyre për të kaluar ilegalisht kufirin me Greqinë, në jug të vendit. Sipas Gentian Mullai, zëdhënës i Drejtorisë së Policisë së qarkut të Gjirokastrës, “Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit në qarkun e Gjirokastrës, gjatë muajit janar të këtij viti, ka treguar një angazhim maksimal në parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, trafiqeve të paligjshme të njerëzve që mund të zhvillohen në kufirin e gjelbër me Greqinë”. Sipas tij, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së qarkut të Epirit në Greqi, gjatë së njëjtës periudhë janë zhvilluar tre operacione të koduara “Rrjeta e Gjelbër 2”, si dhe janë kthyer mbrapsht 110 shtetas që tentonin të kalonin ilegalisht kufirin. “Gjatë këtyre operacioneve janë sekuestruar 5 automjete dhe ka nisur ndjekja penale për 5 shtetas shqiptarë. Gjithashtu janë bllokuar dhe 3 vula false”, - është shprehur zëdhënësi i Policisë, Mullai. Gjatë muajit janar janë ndaluar 5 persona, të cilët ishin shpallur në kërkim.

15 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›