E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karizmatik

Ndërsa vendi pret të ketë qeverinë e re në shtatorin e këtij viti, në partinë më të madhe të opozitës, në atë Socialiste, gushti po nxehet dhe më shumë nga “lufta” për kreun e PS-së. Do të vazhdojë Edi Rama? Do ta marrë Ben Blushi? Apo do të ketë surpriza të tjera si p.sh. kthimi i Fatos Nanos si timonier i anijes më të madhe politike, lënë në mëshirë të fatit në det të hapur deri tani? Duhet të jetë pozicioni i yjeve dhe pozita e afërt gjeografike, apo ndikimi i flukseve të Hënës dhe Diellit, sepse fati i socialistëve shqiptarë po ecën gati njësoj me atë të italianëve, të cilët nën shkëlqimin e një personazhi shumë të diskutueshëm siç është Silvio Berluskoni, po humbin përditë e më shumë terren në Itali. E njëjta gjë dhe në Shqipëri. Berisha po lëshon ndaj socialistëve të njëjtat rreze verbuese që mundën të hutojnë e të asgjësojnë dhe një gjigand si Edi Rama. A do të vijë Ben Blushi? Është nga ata eksponentë socialistë që e ka shprehur hapur ambicien e tij, por socialistët me një kryetar që do të quhej Ben Blushi, s’do të zgjidhnin asnjë hall që kanë sot, përkundrazi, do t’i shtonin edhe më keq. Ben Blushi është ekuivalenti i Françeskinit në Itali, zëvendësi i Veltronit që mori kreun e partisë pas dorëheqjes së këtij të fundit. Ka një koincidencë të habitshme mes Blushit e Françeskinit në formim, agresivitet oratorik, edhe model flokësh gati. Po, a ka zgjidhur gjë e majta italiane me Françeskinin lider? Asgjë deri tani. Hallakatja vazhdon të jetë totale. Në politikën e sotme europiane, ende të vjetër, vazhdon të fitojë lideri karizmatik dhe Partisë Socialiste i duhet një lider i tillë. Me karizmë ishte Fatos Nano, por kush beson se papritur sot, Nano ka vendosur të punojë seriozisht? A ka ai fuqi, nerva në një moshë të tillë? Edi Rama vazhdon të mbetet i vetmi lider karizmatik mes socialistëve aktualisht, është ndër ata që “prodhohen” rrallë në historinë politike të një vendi, por përballë ka një “jashtëtokësor” siç është Sali Berisha, që për karizmën, formimin që ka, forcën për rilindje, është i rrallë në Glob, jo vetëm në Shqipëri. Edi Rama u tregua mendjelehtë në zgjedhjet e 28 qershorit, por domosdoshmëria e tij në PS është më e madhe se pasojat e humbjes që i shkaktoi partisë së tij. Me largimin e Ramës pas humbjes, për PS mund të rrezikohet ekzistenca si parti. Por nëse vetë Rama nuk do të ndryshojë dhe nuk do të kuptojë se PS në opozitë do të thotë oponencë reale tashmë pushtetit të PD + LSI, qëndrimi i tij në krye të PS-së do të ishte katastrofik. Kriza e tmerrshme ekonomike në SHBA solli një lider si Barak Obama në krye të vendit. Në Europë nuk ka dalë ende një lider i një politike të re e as nuk mund të mendohet që një yll politike si Obama apo sa gjysma e tij të lindë në një vend si Shqipëria. Prandaj, në garën e ardhshme për pushtet brenda PS-së, Rama, duhet të tregojë se i ka mbyllur në sirtar njëherë e mirë përrallat me “Obama” dhe se ka vendosur të përballet me realitetin shqiptar. Me Berishën e Metën pra. Ndryshe, do të mbetet gjithsesi një publicist e piktor shumë i mirë.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›