E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largohen nga skema 3316 familje

16/10/2009  Abuzimet me ndihmën ekonomike, kontroll jo vetëm njësive vendore, por dhe përfituesve

Shpërndarja abuzive ka rezultuar e lartë në zonat verilindore të vendit

Familjet përfituese të ndihmës ekonomike do t’i nënshtrohen një kontrolli të imtë për plotësimin e kritereve të përfitimit. Drejtuesit e sektorit monitorues të shpërndarjes së kësaj pagese pohojnë se është shtuar së tepërmi numri i familjeve që bëjnë pjesë në skemën e përfitimit. Por këto të fundit janë bërë pjesë e listës në mënyrë abuzive, pasi në të vërtetë nuk i përmbushin kriteret e përcaktuara në ligj. Abuzimet më të mëdha mendohet të jenë bërë nga pushteti vendor gjatë periudhës së fushatës elektorale e për këtë arsye pritet që nga kontrolli i nisur deri në fund të muajit nëntor të evidentohen dhe të nxirren nga skema familjet që nuk plotësojnë kriteret. Kontrollet e kryera deri në muajin shtator të 2009-s kanë nxjerrë nga listat e trajtimit rreth 3316 familje, të cilat e përfitonin këtë pagesë sociale jashtë kritereve ligjore.

Abuzimet

Dosjet e hartuara nga punonjësit e pushtetit vendor mbi listat e përfituesve do të kontrollohen në mënyrë të rreptë, pasi këta të fundit janë hallka e parë nga ku nis dhe fryrja e listës me persona që nuk plotësojnë kriteret. Ndërsa zonat në të cilat mendohet se ka më shumë probleme me ndarjen e kësaj pagese, pohohet të jenë ato verilindoret, të cilat gjithashtu rezultojnë të kenë dhe numrin më të lartë të përfituesve. Konkluzionet kanë dalë pasi nga kontrollet e bëra pjesa dërmuese e familjeve të larguara kanë qenë nga këto rrethe. Megjithatë, deri në fund të nëntorit do të përfundojë verifikimi i gjithë dokumentacionit të skemës së ndihmës ekonomike. Mendohet që skema e re të përmbajë rreth 90 mijë familje, e cila deri më 2013-n pritet të pësojë tjetër ulje. Madje është menduar dhe do të nisë zbatimi i detyruar i kushtëzimit të shpërndarjes së ndihmës me punë të detyruar në komunitete. Personat që bëjnë pjesë në skemën e trajtimit që do të refuzojnë kryerjen e punëve që do t’u caktohen, do të përjashtohen nga ndarja e pagesës.

Ndryshimet

Pak ditë më parë kreu i Ministrisë së Punës ka mbledhur drejtoritë rajonale të shërbimit social, ku ka komunikuar urdhrin për dërgimin e grupeve të monitorimit edhe në terren, çka do të thotë se familjet përfituese do të kontrollohen një e nga një nëse përmbushin kriteret e përfitimit. Prej kohësh lista e përfituesve të kësaj pagese vijon të pësojë ndryshime, pasi shumë prej familjeve futen në skemë pa plotësuar kushtet e përftimit, si dhe shumë të tjera e humbasin këtë drejtë nga kontrollet e ushtruara. Pavarësisht se këto kontrolle janë bërë të herëpashershme, pohohet se ende ka përfitues në mënyrë abuzive. Këta të fundit pritet të shmangen me kalimin verifikimeve jo vetëm pranë njësive bashkiake ku bëhet shpërndarja, por dhe me kontrollin në terren të vetë familjeve që përfitojnë. Programi mbështet me pagesë mujore familjet pa të ardhura apo me të ardhura të pamjaftueshme.

Harta e varfërisë

Tashme kemi një hartë të varfërisë si dokument bazë, ku do të përcaktohet përqindja e popullsisë me nën 2 dollarë në ditë për person për çdo bashki dhe komunë. Harta do të shërbejë për programimin e fondeve për çdo njësi vendore, të cilat do të dërgohen si grante të kushtëzuara që në fillim të vitit. Aktualisht numri i familjeve në skemën e ndihmës është rreth 93 mijë përfitues, ku bëjnë pjesë rreth 14 për qind e popullsisë.

Synohet që varfëria deri në vitin 2013 të reduktohet në 10 për qind të popullsisë, ku në skemën e NE-së do të mbeten rreth 70 mijë familje, nga të cilat 35 mijë në qytet.

Puna në komunitet

Ndihma ekonomike ka filluar të kushtëzohet me punë komunitare dhe rezultatet kanë qenë të dukshme. Në disa raste gati gjysma e numrit të familjeve nuk kanë pranuar të marrin pjesë në punë komunitare. Për pasojë, sipas rregullave, ato janë larguar nga skema. Kushtëzimi i shpërndarjes së ndihmës është një ndër problemet që duhet të zbatohet nga njësitë vendore në përputhje me detyrimet ligjore. Sipas specialisteve, kjo do ta bëjë skemën më aktive. Ulja e numrit të familjeve dhe rritja e fondeve buxhetore, në ndryshim nga praktikat e mëparshme, ka ndikuar në rritjen e masës përfituese të familjeve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›