Marrëveshja e karkalecit
Padyshim marrëveshja mes Partisë Demokratike dhe Levizjes Socialiste për Integrim për formimin e qeverisë në shtator, është ajo që po pritet me kuriozitet në Tiranë. Në fakt e thënë kështu duket sikur stafe të tëra punojnë dhe mendojnë për ta realizuar këtë, por realisht gjërat janë më thjeshtë e më ndryshe: kryeministri Sali Berisha dhe kreu i LSI-së Ilir Meta po mendojnë për këtë gjë. Mediat u përpoqën gjatë muajit të nxehtë të marrin vesh diçka nga Dhermiu, vendi i pushimeve ku dy protagonistët e politikës sonë thuhej e përgënjështrohej se u lodhën për këtë prodhim. Nuk u mor vesh tamam dhe s’kishte si të merrej kur në të vërtetë gjërat ndryshojnë me shpejtësi. E vetmja siguri në këtë kontekst mbetet vendndodhja e rrethanat e bisedimeve dhe ndikimet që këto rrethana kanë pasur në gjendjen shpirtërore të dy personazheve të cilët me siguri do të vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes tonë për muajt që do të vijnë. Shumë veprime tonat janë shpesh produkt i rrethanave dhe të dy protagonistët tanë nuk kanë munguar Deti dhe Karkalecat e shijshëm të Dhërmiut. Po sa të mirë e të shëndetshëm janë si i pari dhe të dytët, në simbologji nuk sjellin ndonjë ogur të mirë. Deti simbolizon “...misterin, thellësinë e pazbuluar, vendin e rilindjeve dhe të vizioneve nga të cilat dalin përmbajtje që gëlltiten nga peshq të mëdhenj apo përbindësha deti”, shkruan ndonjë astrolog në internet. Po Karkaleci i detit? Shumë i shijshëm edhe ky, por prapë në simbologji ka atë tendencën e ecjes prapa, që nuk parathotë shumë mirë. E pra, në këto rrethana janë gatuar mendimet për qeverinë e ardhshme. Dikush shprehet optimist se kryeministri Berisha e ka lënë vendin e pushimit për t’u kthyer e menduar në Tiranë për këtë gjë, ndërsa Meta vazhdon të qëndrojë aty. Por të tjerë as nuk duan të imagjinojnë se ç’mendime dhe ide mund t’i vijnë në mendje një kryeministri duke pasur si kontorn smogun e bulevardit Dëshmorët e Kombit. Hajt, shpresojmë që ne të bëjmë përjashtime dhe në simbologji.
albamalltezi@hotmail.com
albamalltezi@hotmail.com