Mikpritje në radhë të parë
Italianët e jugut për të bërë pushime në mal duhet të bëjnë afër 1000 km rrugë, dhe po aq nëse italianët e veriut do të duan të shijojnë ujrat e freskët të Jonit në taken e çizmes. E megjithatë, në këto ditë të nxehta gushti, të dy palët kanë nisur udhëtimin e lodhshëm mes trafikut për të shkuar nga një cep në tjetrin të një vendi të organizuar mirë. Më vjen në këto ditë në mëndje privilegji që ka një vend i vogël si i yni, ku në pak orë e në pak kilometra mund të kalosh nga malet e larta në detin e freskët e rërën e nxehtë. Por jo vetëm kjo: privilegjin që na ka dhënë fati të kemi në ato 28 mijë km katrorë çdo të mirë të Perëndisë: Male, kodra, lumenj, liqene e det. Rrugët po shtrohen dhe në pak orë shpejt do të mundet të arrijmë në çdo cep të Shqipërisë. Me vonesë dhe mundime ia arritëm dhe në kësaj dite. Shumë vetë shprehen të emocionuar për rrugën Durrës- Kukës dhe s’ka si të mos jetë kështu; ndonjë mik i imi mburret se e ka bërë dhe për 2 orë e gjysëm. E të gjitha këto privilegje, që po bëhen përditë e më shumë të prekshme për shqiptarët e 2009-s kanë dhe anët e tjera të medaljes dhe më i rëndësishmi është sidomos një: Respektimi dhe mikpritja e turistëve. Gjithandej, përkujdesja që pritësit kanë për njerëzit që zgjedhin të kalojnë pushimet (pavarësisht kapricove dhe kërkesave që mund të ketë përgjithësisht kjo kategori), mbetet matësi dhe reklama më e mirë për një vend që do të mbështetet në turizëm. Mikpritjen e kemi ende si një targë të fortë para botës ne shqiparët, por tani që rrugët po lehtësojnë akoma më shumë daljen në sipërfaqe të pjesëve tona më të fshehta, duhet të kemi shumë kujdes; ngjarjet e rënda si zhdukja e tre të rinjve çekë në zonën e Dukagjinit, apo grabitjet e herepashershme të tursitëve të vetmuar le të mbeten si histori të hidhura të së shkuarës. Eshtë koha dhe mundësia të tregojmë anët tona më të mira.