Investimi Berisha
Ka filluar të më pëlqejë humori i kryeministrit Sali Berisha. Seriozisht. Pas 18 vjetësh politikë, e duke marrë me shqetësim punën e tij në Shqipëri, po ndryshoj edhe unë më në fund. Si tha gjatë mbledhjes së Qeverisë? Eshtë i habitur me veten! Theu rekordin e një viti më parë në not 123 minuta, nga 120 të mëparshmet! Pamjet e shpërndara nga zyra e tij e shtypit lënë shumë vend për koment e trishtim, por nuk ia vlen të vazhdojmë të trishtohemi në këto ditë të nxehta gushti. Nuk është nevoja të marrim për bazë notarë që i pamë gjatë Botërorit të notit në Romë, mjafton të shohësh në plazhet shqiptare çdo notar mediokër e të qeshësh me stilin e notit “pash” të kryeministrit. Por duket që vetë kryeministri e ka humbur aftësinë e matjes së vetes dhe njeëzit rreth e rrotull nuk e kanë ndërmend t’ja thonë që është qesharak me atë stil noti dhe nuk mund t’ua servirë ato filmime shqiptarëve. Pastaj nuk do të kishte vlerë një gjë e tillë: tamam me atë stil noti “pash” edhe në politikë, Berisha fitoi përsëri garën mes gjithë notarëve të tjerë, që rezultuan dhe më qesharakë se ai. Shëipëria është në një fazë që tashmë nuk e vret mendjen për formën: mjafton qëllimi. Por e justifikoj të gjithë këtë heshtje rreth tij dhe kuptoj se shumë njerëz kanë investuar te njeriu që në Shqipëri rezulton të jetë aseti më i qëndryeshëm dhe fitimprurës në bursën e kohërave. Sinqerisht që po më pëlqen humori i kryeministrit Berisha, por ja që s’kam ndërmend të investoj në bursë!
albamalltezi@hotmail.com
albamalltezi@hotmail.com