E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i ul 80 muaj burg Dondollakut

Apeli italian për Krime të Rënda ul dënimin për Enver Dondollakun, i akuzuar si krahu i djathtë i Aldo Bares.

Sipas mediave italiane bashkëpunëtori më i afërt i kreut të “Bandës së Lushnjës”, do të vuajë në qeli 10 vjet burg për shpërndarje narkotikësh, nga 200 muaj që kishte vendosur për të Shkalla e Parë, në gusht të vitit të kaluar. Dondollaku u kap në qershor 2006 në rrethinat e qytetit Padovas, ku strehohej me gjeneralitete sllovake. Gjyqi në Shkallë të Dytë, në Itali, u zhvillua për dy ditë me radhë, ku një kolegj penal shqyrtoi dënimet e 14 anëtarëve të “Bandës së Lushnjës”, që vepronin në Itali, të cilët kishin marrë dënime deri në 18 vjet burg për akuza që kanë të bëjnë me shpërndarjen dhe trafikun e lëndëve narkotike. I vetmi që nuk mori dënim në gjyqin e djeshëm ishte kreu i bandës Aldo Bare, i cili aktualisht ndodhet i paraburgosur në Turqi për llogari të autoriteteve shqiptare dhe italiane. Bare akuzohet nga drejtësia e të dy vendeve si kreu i “Bandës së Lushnjës”, aktiviteti i së cilës është shtrirë si në vendlindje edhe në Itali.
Vendimi 
Pas 2 ditësh proces, Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda në Itali ka dhënë 14 vendime për anëtarët e “Bandës së Lushnjës”, që vepronin në këtë shtet. E konsideruar si banda më e rrezikshme kriminale në Shqipëri, anëtarët e saj u gjetën fajtorë për trafik ndërkombëtar të drogës nga vendet e Ballkanit drejt Italisë. Mes 14 vendimeve të Apelit, më i rëndësishmi mbetet ai ndaj Enver Dondollakut, krahut të djathtë të kreut të bandës, Alfred Shkurti i njohur me emrin Aldo Bare. Nga 16 vjet e 8 muaj burg që kishte marrë në Gjykatën e Padovas, Apeli e uli dje dënimin ndaj 33-vjeçarit lushnjar, Dondollaku në vetëm 10 vjet. Vendimi për ulje dënimi ka përfshirë dhe anëtarin tjetër të bandës Edmond Begon, duke e çuar nga 18 vjet e 5 muaj e 10 ditë burg në vetëm 14 vjet burg. Bego, i cili ka lidhje familjare me Baren, është cilësuar nga drejtësia italiane si kreu i pjesës së bandës që vepronte në Itali.
Dënimet
Duke përjashtuar Baren nga vendimi, për të cilin italianët presin ekstradimin nga Turqia, për pjesën tjetër të bandës, dënimet e Apelit që janë të formës së prerë, variuan dje nga 4 vjet e 8 muaj deri në 14 vjet. Në vendim, gjykata pohoi se drejtësia turke, e cila po shqyrton kërkesat e dy shteteve, Shqipëri dhe Itali, për ekstradimin e Bares, nuk ka shpallur ndonjë vendim negativ. Kështu, meqë, pritet ekstradimi i tij dhe për t’i garantuar një proces të drejtë, ku ai të ketë mundësinë për t’u përballur dhe mbrojtur vetë me akuzën, gjykata e ka pezulluar dënimin për të. Në vendimin e djeshëm gjykata pohoi se, gjatë arrestimit në Torino dhe Padova, anëtarëve të bandës, në operacione të ndryshme, u është kapur një sasi prej 319 kilogramë heroine, 2 kilogramë kokainë dhe 155 kilogramë përzierës narkotikësh.                     fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›