E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kulaçi i gjyshes helmon familjen

Gjyshja e moshuar gatuan kulaç me pesticid.

FIER/ MAJLINDA RAMA

Ajo ka kujtuar se po merrte sodën e bukës nga frigoriferi, por në vend të saj ka marrë pesticidin e rrushit, duke shkaktuar helmimin e gjithë familjes. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në fshatin Libofshë kur kryefamiljarja e familjes Skënderi përdori insekticidin e rrushit në vend të sodës së bukës kur po gatuante. Pesë anëtarët e familjes që kanë ngrënë kulacin kanë qenë: vetë gjyshja 74-vjeçare Fatime Skënderi, motra dhe djali saj, si edhe nipi dhe mbesa 11-vjeçarë, të cilët kanë shfaqur menjëherë dhe shenjat e  helmimit. Në gjendje të rëndë janë dërguar me urgjencë në spitalin e Fierit nga një fqinj i tyre. Pas ndërhyrjes së mjekëve tre prej tyre janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa në gjendje kritike, deri në orët e vona të ditës kanë qenë dy fëmijët binjakë, Marjus dhe Majra Skënderi. Nga hetimet ka rezultuar se gjyshja Fatime Skënderi, mbrëmjen e së hënës ka nisur të gatuajë një kulaç. Në frigoriferin e kuzhinës 74-vjeçarja ka marrë një pluhur, që sipas saj ishte i ngjashëm me sodën e bukës dhe ia ka hedhur kulaçit që po përgatiste. “Unë po thërrmoja kulaçin që ishte gatuar pak më parë dhe fillova të haja. Pas 10 minutash nuk po ndihesha mirë. Piva pak ujë me sheqer por nuk u përmirësova. Kur e kuptuam që ishim helmuar, erdhëm me një fqinjin tonë direkt në spital”, ka treguar për “Panorama”-n djali i familjes Skënderi, Flamuri 48-vjeçar, i shtruar në spital. Ndërkaq vetë e moshuara ka treguar se e kishte ngatërruar pesticidin me sodën teksa ndihet fajtore për këtë gabim të pafalshëm, sipas saj. “Unë mora nga frigoriferi dy lugë nga instekticidi i rrushit, se m’u duk si soda e bukës, që e mbajmë në të njëjtin vend. Pasi përgatita brumin e vura për të pjekur në furrë. Erdhi djali dhe filloi ta përsheshte. Duke përsheshur hëngri edhe disa kafshata nga kulaçi. Në këtë kohë edhe pjesëtarët e tjerë të familjes konsuamuan pak kulaç. Aty ishin edhe dy nipërit binjakë si dhe motra ime që me pak djathë dhe hudhra po hanin të gjithë bashkë. Vetëm 10 minuta më vonë djali filloi të thoshte se kishte këputje trupi dhe dhimbje të forta barku. Pas pak edhe fëmijët, unë dhe motra ime filluam të ndienim të njëjtat dhimbje. Thirrëm një komshiun tonë dhe na solli në spital”, është shprehur e moshuara e familjes Skënderi. Ndërkohë mjeku toksikolog në spitalin e Fierit, Kilo Stoja, ka pohuar se, gjendja shëndetësore e të helmuarve në momentin që mbërritën në spital ka qenë tepër kritike. “Pacientët kanë ardhur rreth orës 23:00 në mjediset e spitalit të Fierit në gjendje serioze për jetën. Ata kishin konsumuar një sasi buke të gatuar me një lloj helmi që zakonisht përdoret për spërkatjen e pemëve. Bëhet fjalë për një ngatërresë nga ana e të moshuarës, por që rrezikoi seriozisht jetën e pjesëtarëve të tjerë të familjes Skënderi”, është shprehur mjeku që ka pritur të helmuarit. Sipas tij, kujdesi i menjëhershëm i mjekëve të repartit të urgjencës ka bërë të mundur rikthimin e normalitetit në shëndetin e të helmuarve. Ndërkohë që mjeku ka bërë të ditur se, rëndë është gjendja për dy fëmijët për shkak të sasisë më të madhe që kanë marrë dhe rezistencës së dobët të trupit të tyre.

Helmimi në lokal, hetim dy pronarëve

FUSHE KRUJE – Nis hetimi në gjendje të lirë për dy pronarët e lokalit ku u helmuan rreth 60 persona, të cilët po hanin drekën pas një ceremonie mortore. Ndërsa ende nuk është specifikuar ushqimi që shkaktoi helmimin masiv, ndaj Afrim dhe Bukurije Vathit rëndon akuza e “prodhimit e shitjes së ushqimit e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin”. Mësohet se brenda 3 ditësh do të dalë dhe përgjigjja e analizave mbi mostrat e ushqimeve të konsumuara gjatë drekës së të hënës në lokalin buzë superstradës Fushë Krujë-Lezhë. Sipas Institutit të Shëndetit Publik analizat e kryera mbi ujin e pijshëm e kanë nxjerrë atë të pastër. Specialistët dyshojnë se kushtet e këqija higjieno-sanitare ose rënia e ushqimit në kontakt me ndonjë element kimik ka provokuar helmimin. Ata thonë se, nëse uji do të ishte i ndotur, atëherë të gjithë pjesëmarrësit në drekë do të ishin helmuar.                                    r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›