E Hënë, 2 Nëntor 2026

Apeli, ikën Muharrem Kushe, vjen Sokol Çomo

12/05/2005  Pranvera Strakosha, kryetare e Gjykatës së Tiranës. KLD gati vendimet

TIRANË – Sokol Çomo në vend të Muharrem Kushes dhe Pranvera Strakosha merr vendin e shefit të saj në krye të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Pas largimit të nënkryetarit të Gjykatës së Apelit, Dalip Bushi, duket se radha i ka ardhur kryetarit Muharrem Kushe. Burime nga Ministria e Drejtësisë pohuan për gazetën "Metropol" se, shumë shpejt Apeli do të ketë fytyrë të re. Kështu, përveç gjyqtarëve që do të largohen apo do të transferohen në shkallët më të ulëta, do të lëvizë edhe kreu i saj, Muharrem Kushe. Shkak për këtë lëvizje, e cila është konsideruar e detyrueshme, është bërë kontrolli i fundit i ushtruar nga Inspektoriati i KLD-së, vitin që kaloi. Janë konstatuar shkelje të rënda të gjyqtarëve, të cilët e konsideronin veten "zot" dhe të pakontrollueshëm.

Kontrolli

Kështu, katër gjyqtarët e parë kaluan në sitën e KLD-së. Janë në pritje edhe shtatë të tjerë. Ndërsa mendohet të bëhet largimi i kryetarit Muharrem Kushe nga kreu i Gjykatës së Apelit, është gjetur edhe zëvendësuesi. Lëvizjet që do të bëhen në Apel paraprihen nga lëvizjet e Shkallës së Parë të gjykimit. Kandidatura më e mundshme për të zënë vendin e Kushes, është ajo e kryetarit aktual të Gjykatës së Shkallës së Parë, Sokol Çomo. Ky i fundit është njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Nga ana tjetër, vendin e Çomos pritet ta zërë nënkryetarja e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Pranvera Strakosha.

Ndryshimet

Burimet pranë Ministrisë së Drejtësisë bëjnë të ditur se, krerët Shkallës së Parë kanë qenë më shumë rezultativë se sa ata të Gjykatës së Apelit. Larg shkarkimeve nuk do të jenë edhe gjyqtarët e Shkallës së Parë, për të cilët është duke u pregatitur relacioni përkatës për gjithsecilin. Ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, ka premtuar 11 ndryshime në shkallën e dytë të gjyqësorit të Tiranës dhe një numër të përafërt në atë të Shkallës së Parë. Largimet dhe shkarkimet, sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë, do të nisin që këtë javë.

Shkarkimet dhe ndëshkimet e KLD

Këshilli i Lartë i Drejtësisë në mbledhjen e tij të datës 21.04.2005, në vijim të çështjeve të mbartura të rendit të ditës nga mbledhjet e mëparshme, shqyrtoi procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Dalip Bushi dhe vendosi shkarkimin e tij nga detyra e gjyqtarit. Gjithashtu po në këtë datë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi shqyrtoi kërkesat e ministrit të Drejtësisë, vendosi të kryej disa delegime të gjyqtarëve, për funksionimin sa më normal të punës në Gjykata të ndryshme në gjykimin e disa çështjeve gjyqësore. Këshilli është mbledhur në datën 14.04.2005, posaçërisht për të shqyrtuar procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve Bushi e Mullai të Gjykatës së Apelit Tiranë. Por, në këtë datë u shqyrtua fakti i mungesës së nënkryetarit të Gjykatës, mosprania e përsëritur për arsye shëndetësore dhe u vendos shtyrja e procedimit. Në lidhje me marrjen e masës disiplinore ndaj gjyqtares së Gjykatës së Apelit Tiranë, Fiqirete Mullai, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi dhënien e masës disiplinore të transferimit në një gjykatë tjetër të një niveli më të ulët. Në votim morën pjesë 10 anëtarë të KLD-së dhe 9 prej tyre votuan pro shkarkimit nga detyra e gjyqtarit Dalip Bushi. Katër anëtarë nuk morën pjesë në votim, pasi nuk ishin në momentin e votimit. Po sipas Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtari i shkarkuar në vitin 1992, është propozuar nga ministri i Drejtësisë me shkresën me numër prot.75 për largimin e tij nga kryetar i Gjykatës së Apelit Vlorë, lidhur me një vendim gjyqësor për armëmbajtje pa leje.

Reagimi i Bushit: Vendim politik për të më shkarkuar

Dalip Bushi, nënkryetari i Apelit, i shkarkuar, ka pohuar se "vendimi i shkarkimit është politik dhe i paragjykuar, pasi nuk ka pasur asnjë shkelje juridike në vendimet e marra në Gjykatën e Apelit, ku unë kam qenë kryesuese, apo anëtar i trupit gjykues. Kam pasur konflikte me PS-në, kur më është kërkuar heqja e mandatit të Spartak Ngjelës dhe dhënia Sajmira Pinos, apo shpallja kandidatë të pavarur e tetë kandidatëve për deputetë të PS-së në 2001-shin". Para seancës, juristi i ka paraqitur një kërkesë paraprake presidentit dhe anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›