E Hënë, 2 Nëntor 2026

KQZ miraton fletë të posaçme për të verbërit

12/05/2005  8400 të paaftë do të kenë të drejtë të zgjedhin kandidatin dhe partinë që duan

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje formatin e fletëve të posaçme të votimit për të verbërit. Sipas këtij vendimi, në anë të fletës së votimit do të shtypen numrat dalluese për të verbërit, që do të fillojnë me numrin një dhe do të përfundojnë me numrin që korrespondon me partinë ose kandidatin e fundit të paraqitur në listën e zgjedhjeve. Sipas vendimit, të verbërit do të paraqiten të vetëm në kutinë e votimit, ndërsa KQZ do t'iu mundësojë një kasetofon, ku do të jetë inçizuar emri dhe partia, si dhe numri që korrespondon për to në listë. Vetëm pasi të jenë njohur me këtë, këta persona do të bëjnë zgjedhjen e tyre. Sipas të dhënave, janë rreth 8400 persona të verbër, të cilëve për herë të parë u jepet mundësia që të votojnë të pavarur. Marrëveshja mes shoqatës së të verbërve dhe KQZ-së është arritur dhe pas një kontrate mes OSBE dhe të verbërve. Shpenzimet për këtë masë të re do mbulohen nga një projekt i OSBE-së, ndërsa është vlerësuar se kjo do të sjellë një zbatim të plotë të të drejtave të njeriut. Në mbledhjen e zhvilluar dje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dhe formatin përfundimtar që do të ketë fleta e votimit. Sipas këtij vendimi, fletat do të jenë të përmasave më të vogla sesa ato që u përdorën dy vjet më parë. Kjo sepse në zgjedhjet për pushtetin vendor madhësia e fletëve të votimit solli probleme me kutitë dhe me procedurat për numërimin e votave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›