Trafiku, lexohen në gjykatë përgjimet telefonike
12/05/2005 TIRANË – Drejt mbylljes shqyrtimi gjyqësor ndaj tre vëllezërve nga Lezha, akuzuar për trafik ndërkombëtar droge. Të gjitha provat kundër tyre kanë ardhur nga shteti fqinj Italia. Ndërkohë dje, Prokuroria ka lexuar para Gjykatës së Krimeve të Rënda transkriptimin e përgjimeve telefonike të kryera nga autoritetet italiane. Në tekstin e përgjimeve, bërë midis të pandehurve dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit, fjala drogë mbulohej me emra sendesh dhe njerëzish. Tre vëllezër nga Lezha, janë objekt i gjykimit të filluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e gjyqtarit Sandër Simoni. Dy prej të pandehurve janë në sallë, njëri prej të cilëve në gjendje të lirë, ndërsa i treti ndodhet në Itali. Kanë mbi shpinë akuza tepër të rënda. I pandehuri që gjendet i lirë në sallën e gjyqit, e ka fituar këtë të drejtë nga gjykata italiane. Edhe pse nga ana e akuzës është cilësuar si koka e trafikut të kokainës, Holandë–Itali, ndërsa dy vëllezërit e tjerë ndodhen në burg. Bëhet fjalë për tre vëllezër nga Lezha, Shkëlqim, Luan dhe Ali Sufja. Në bankën e të akuzuarve ndodheshin të pandehurit Ali dhe Shkëlqim Sufja. Ndërkohë, Luani është në burgjet italiane. Gjykata në seancën e djeshme nuk u shpreh në lidhje me kërkesën për ndryshimin e masës së sigurimit, bërë nga avokati Gjergji Rudi, për të pandehurin Shkëlqim Sufja. Sipas akuzës, tre vëllezërit akuzohen për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike dhe krijimit të organizatës kriminale me qëllim trafikimi. Vepra është kryer në bashkëpunim me persona të tjerë. Tre vëllezërit bëjnë pjesë në një rrjet të gjerë trafikantësh. Kryesisht droga trafikohej nga Holanda në Itali. Kjo gjë ka dalë edhe gjatë përgjimit. Zonat, të cilat janë vënë në vëzhgim dhe ku janë kapur personat e grupit, janë Pulja, Toskana, Lombardia, Piemonti. Në krye të grupit, sipas autoriteteve italiane ishte vënë Ali Sufja. Ndërsa, ata u vunë në pranga në fillim të dhjetorit 2001. Fillimisht, policia italiane vuri në pranga të fejuarën e Shkëlqim Sufjes, Stefania Rubi, pasi e kapi me 1.1 kg heroinë të pastër. Ajo ka deklaruar se drogën ia ka blerë Sokol Meidanit. Policia ka arritur të vërë në pranga të pandehurit dhe pjesëtarë të grupit në Itali vetëm nëpërmjet përgjimeve. Pjesëtarët e tjerë të grupit janë Sandër Marku, Arjan Hyseni, Andrea Rikardi, Boldi Ulianov Galipaj. Të gjithë ndodhen të arrestuar në Itali. Prokurori tha dje se hetimet janë kryer në Itali dhe prej andej kanë ardhur 14 fashikuj. Në vendin tonë nuk është kryer asnjë hetim, pasi veprimtaria e tyre ka qenë kryesisht Holandë-Itali. Provat e sjella nga organi i akuzës i referohen kryesisht autoriteteve italiane.