E Hënë, 2 Nëntor 2026

Moisiu: Nuk do të hezitoj të marr vendime pas transparencës

12/05/2005  Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, reagon për çështjen "Ambasadori Tarifa"

Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, theksoi dje se është duke e ndjekur nga afër çështjen e hapur për ambasadorin shqiptar në SHBA, Fatos Tarifaj. Megjithatë, ai ka pranuar se Presidenca në këtë situatë nuk mund të reagojë, pasi janë struktura të tjera të shtetit, që duhet të ndërmarrin masat. "I kam ndjekur dhe vazhdoj t’i ndjek me mjaft shqetësim njoftimet e medias dhe komentet lidhur me ambasadorin e Shqipërisë në SHBA. Ministria e Punëve të Jashtme ka ndërmarrë tashmë hapin e parë, thirrjen urgjente të ambasadorit në Tiranë për sqarimin e rrethanave dhe verifikimin e fakteve.

Unë pres nga Ministria dhe ambasadori që ky problem të trajtohet me seriozitet dhe transparencë të plotë. Mbi bazën e konkluzioneve të sakta zyrtare ju siguroj se nuk do të ketë asnjë hezitim nga ana e ime për të vepruar në mënyrën e duhur", tha Moisiu.

Reagimet

Ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Fatos Tarifa dhe biznesmeni, Indrit Bregasi, kanë dhënë deklarata kontradiktore, për sa i përket skandalit financiar të ndodhur në ambasadën e Shqipërisë në Uashington. Tarifa gjatë një intervsite për median, i ka hedhur poshtë si të pavërteta akuzat e Bregasit, duke i konsideruar ato si një sulm që i bëhet jo atij personalisht, por imazhit të qeverisë shqiptare. Nga ana tjetër, ambasadori shqiptar, megjithëse i ka konsideruar shpifje dhe insinuata përgjimin telefonik, që kishte në qendër skandalin financiar, ndërsa nuk ka pranuar të kthehet në Shqipëri, për të dhënë sqarime, duke nxjerrë si preteks arsyet shëndetësore. Por, një intervistë ka dhënë për mediat dhe biznesmeni Indrit Bregasi, i cili është dhe autori i përgjimit të telefonatës ndaj ambasadorit Tarifa. Bregasi në intervistën e tij, pretendon se e ka kryer përgjimin nën presionin dhe shantazhin që ambasadori shqiptar në SHBA ka ushtruar ndaj tij, për shkak të një borxhi prej 3.500 dollarësh, që i kishte Tarifa. Bregasi thotë se gjatë kohës që Tarifa ka qenë ambasador, ka kryer shpesh punime restauruese në ambasadë, por asnjëherë nuk është paguar për punën e kryer. “Ne kemi punuar për ambasadën shqiptare për një periudhë prej dy vjetësh dhe kemi ofruar shërbimet tona si firmë modeste ndërtimi në zonën e Uashingtonit. Kemi qenë pjesëmarrës për riparime të ndryshme dhe tashti më së fundi, morëm pjesë në tenderin që ambasada shqiptare organizoi për të bërë mirëmbajtjen, dhe rregullimet në ambasadë dhe ndihmuam ambasadorin drejtpërdrejt, për mbarëvajtjen e këtij projekti. Ambasadori kishte një periudhë 6 mujore, që kërkonte një sasi të caktuar lekësh, 4 mijë e 500 dollarë për të qenë më i saktë, për të nxjerrë nga shtëpia botuese një libër, që ai e kishte çuar aty dy vjet më parë. Mbas tentativave të ndryshme të ambasadorit, rashë dakort t’ia jepja privatisht shumën prej 4 mijë e 500 dollarësh. Nga ana tjetër, ne kishim kontratat, ishim strikt në biznes, në bazë të rregullave të lojës, që bëhet këtu në Shtetet e Bashkuara, ku kontratat janë të përpiluara me avokat”, thotë Bregasi. Sipas tij, për përgjimin e bisedës e ka kryer pas këshillimin me avokatin e tij personal. Pas publikimit të skandalit, ministria e Jashtme ka kërkuar kthimin e Tarifës në Shqipëri, por ky i fundit ka njoftuar se për këtë çështje, ministri, Kastriot Islami ka qenë i informuar katër ditë përpara publikimit të skandalit.

Në Samitin e Tetë të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të SEECP Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, u shpreh se Shqipëria e vlerëson shumë këtë takim, pasi kjo nismë e përbashkët shërben për ta afruar rajonin më pranë standarteve demokratike e ekonomike të familjes evropiane. Kreu i shtetit tha se Shqipëria vlerëson shtrirjen e bashkëpunimit në kuadër të SEECP-së në fushat e rendit dhe mbrojtjes, të sigurisë ndërkufitare, drejtësisë si dhe veçanarisht në nivelet akademike, parlamentare dhe të institucioneve qeveritare. “Kjo klimë e re mirëkuptimi mendoj se duhet shoqëruar edhe me çlirimin e teksteve mësimore dhe studimore nga klishe të vjetra të përdorura me vlerësime negative ndaj fqinjëve”, tha Presidenti Moisiu. Duke u ndalur tek lëvizja e lirë, Moisiu u shpreh se krijimi i nje “task–force” për regjimin e vizave në rajon duhet të shoqërohet me arritje konkrete, të prekshme dhe të ndjeshme për qytetarët e rajonit. “Për Shqipërinë pjesë tjetër e rëndësishme e procesit mbetet intensifikimi real i punës për lehtësimin sa më të madh të lëvizjes së lirë të qytetarëve midis vendeve tona. Fatmirësisht vendet tona ende nuk janë vende të preferuara për emigrim, ndaj një lëvizje më liberale e qytetarëve nuk do të ndikonte në nivelet e emigracionit, përkundrazi. Ajo do të ndihmonte zgjerimin e shtratit real të bashkëpunimit, konkretizimin e synimeve tona për njohje më të thellë reciproke, rritje të shkëmbimeve tregtare dhe rritje të mirëkuptimit ndërqytetar”, tha Presidenti Moisiu. Kreu i shtetit teksoi se përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës do t’i japë një nxitje më të madhe sistemit të sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal. “Pa zgjidhjen e kësaj çështjeje, ne nuk mund të themi se rajoni ynë ka lënë pas përfundimisht të kaluarën dhe ka arritur qetësinë e stabilitetin e dëshiruar”, tha Moisiu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›