Gjeneral Malaj merr detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë
TIRANË - Gjeneral Brigade Maksim Malaj ka marrë dje detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, pas betimit në Presidencë. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes, ministri Gazmend Oketa duke iu drejtuar Gjeneral Brigade Maksim Malaj tha se “nga mënyra se si nga ky pozicion do shihni detyrën, problemet, raportet me kolegët do të varet dhe suksesi juaj dhe i Forcave të Armatosura”. Ministri Oketa tha ndër të tjera se “ju e merrni këtë detyrë në një moment kur pak hapa na ndajnë nga anëtarësimi me të drejta të plota në NATO”. “Bashkëpunimi dhe mbështetja ime nuk do t’ju mungojë në punën tuaj dhe kam besimin se ju do ta kryeni me profesionalizëm të lartë këtë mision”, - nënvizoi Ministri i Mbrojtjes. Ndërsa Shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Brigade Maksim Malaj, tha se “vij me besim të plotë tek ju dhe vetja ime për të plotësuar objektivin madhor të vendit tonë, pranimin anëtar me të drejta të plota në NATO, objektiv i cili do të kurorëzohet me sukses samitin e ardhshëm.
Ndihem vërtet i respektuar dhe njëkohësisht i emocionuar t’i drejtohem kësaj audience kaq të nderuar me detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Me këtë rast do të doja të falënderoj Kryeministrin e vendit për besimin e treguar duke me propozuar për këtë detyrë kaq të lartë kushtetuese, por njëkohësisht Presidentin e Republikës njëherazi Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe Ministrin e Mbrojtjes. Të jesh Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura është privilegj, por në të njëjtën kohë është edhe detyrim madhor ndaj atdheut, ndaj flamurit, ndaj bashkatdhetarëve, ndaj familjes, ndaj kolegëve dhe të gjithë atyre që të kanë besuar të drejtosh Forcat e Armatosura të Shqipërisë”. Më 25 korrik Presidenti i Republikës Bamir Topi, dekretoi Gjeneral Brigade Malaj në postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Gjeneral Brigade Maksim Malaj vjen në këtë detyrë pas drejtimit të Brigadës së Reagimit të Shpejtë, funksion që e ushtroi nga nëntori i vitit 2007. Ai është ushtaraku i 26-të që drejton Forcat tona të Armatosura. Shefi i Parë i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, duke filluar nga viti 1913, ka qenë major kolonel Ali Shkupi.
29 Korrik 2008