Dy veta në pranga për vjedhjen e skapit, dy të tjerë në kërkim
DURRËS - Një grup të rinjsh kanë vjedhur magazinat e një kompanie të njohur të prodhimit dhe tregtimit të hekurit, por dy prej tyre kanë rënë në pranga, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Burime zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se të dielën në mbrëmje, rreth orës 23.30, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Ilir Malaj, R.C., të dy, lindur në Tiranë dhe banues në Durrës. Sipas tyre, 33 vjeçari Malaj dhe 16-vjeçari R.C., mëngjesin e dy ditëve më parë janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë në vendin e quajtur “Ura e Dajlanit”, duke transportuar materiale hekuri për skrap, të cilat dyshohet të jenë vjedhur në Shkozet, e pikërisht në vagonat e trenit që transportonin materiale hekuri për llogari të firmës “Kurum”. “Nga veprimet e para hetimore të kryera rezultoi se në këtë vjedhje dyshohet të jenë përfshirë edhe shtetasit D.L., 16 vjeç dhe F.K., 16 vjeç, që të dy me banim në lagjen Nr. 14 në qytetin bregdetar. Burimet policore bëjnë të ditur se po punohet për kapjen e tyre. “Materialet procedurale për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim iu kaluan për ndjekje prokurorisë së Durrës”, - thonë burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit.
Arrestohet, akuzohet për marrëdhënie seksuale me dhunë
VLORË - Policia e Vlorës ndaloi dje një 44 vjeçar nga ky qytet, i cili dyshohet të jetë autor i përdhunimit të një 24 vjeçareje. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Qarkut të Vlorës, “G.Meraj u ndalua mëngjesin e së hënës në banesën e tij, në një nga lagjet periferike të qytetit. Përveç veprës penale të marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura, Meraj akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, për shkak se gjatë kontrollit të policisë në banesën e tij, u gjet një armë automatike dhe një sasi fishekësh.
Ndalohet 40 vjeçari, akuzohet për kultivim bimësh narkotike
VLORË - Një 40 vjeçar nga Vlora u ndalua të hënën në mesditë, për kultivim të bimëve narkotike. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Vlorës bëjnë të ditur se Përparim Kushta, banor i fshatit Dukat Fushë, 25 km larg qytetit, u prangos pas një kontrolli të policisë në pronat e tij, ku u zbuluan 23 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa. Bimët narkotike me një lartësi prej rreth 1 metër, ishin kultivuar në hapësirën e një pemëtoreje. Ndalimi i Kushtës e çon në 5 numrin e të penalizuarve nga policia e Vlorës, me akuzën e kultivimit të bimëve narkotike.
Kundërshtoi policin, kapet pas 25 ditësh
DURRËS – Një person, i cili kundërshtoi forcat e rendit 25 ditë më parë, ka përfunduar në prangat e policisë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se “u bë kapja e personit të kërkuar Ismail Sinanaj, lindur në Kukës dhe banues në lagjen Nr. 8 në qytetin bregdetar. 24-vjeçari Sinanaj ishte shpallur në kërkim që më datë 03 korrik të këtij viti. Ai akuzohej për veprën penale të “kundërshtimit të punonjësit të policisë” dhe “fyerjes për shkak të detyrës” pasi Gjykata e Durrësit, kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”.
29 Korrik 2008