E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli kthen ne Fakt lirine e Delijorgjit

Gërdeci Afatet e gjykimit për dy të pandehurit kryesorë do të rillogariten në shkallën e parë

Gjykata e Apelit të Tiranës ktheu për rigjykim në Gjykatën e Faktit kërkesat e të pandehurve të procesit “Gërdeci”, Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari mbi lirimin e tyre nga qelia për shkak të skadimit të afateve të gjykimit të çështjes. Vendimi u dha dje në mesditë nga një trup gjykues i drejtuar nga kreu i Gjykatës së Apelit, Metush Saraçi, i cili mori në shqyrtim kërkesat e mbrojtjes së të akuzuarve kryesorë, që pretenduan se kanë kaluar më tepër se 100 ditë nga afati ligjor për përfundimin e hetimeve ndaj tyre.

I pandehuri Ylli Pinari i pranishëm në seancë, pohoi se kërkonte gjykim me intensitet të çështjes “Gërdeci”, dhe që ai e të akuzuarit e tjerë, të liroheshin për shkak të përfundimit të afateve ligjore. Përfaqësuesja e organit të akuzës kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Faktit, por nuk u shpreh nëse Gjykata e Shkallës së Parë duhet të llogariste ditët e kaluara në qeli nga të arrestuarit. Në fund, trupi gjykues vendosi të rikthente për rigjykim çështjen në Gjykatën e Tiranës me detyrën që kjo gjykatë të llogariste të gjitha ditët e kaluara më tepër nga Delijorgji e Pinari. Më parë, e njëjta gjykatë rrëzoi kërkesën e kunatit të Delijorgjit, i bashkëpandehur me të, për lirim me të njëjtin argument.

Avokatët e të pandehurve Ylli Pinari e Mihal Delijorgji, kërkuan në dy shkallët e ulëta të gjyqësorit rivlerësimin e masës së sigurisë për klientët e tyre. Vendimi për kohën e paraburgimit të të pandehurve për më shumë se gjashtë muaj u luajt pingpong mes gjykatave. Të pandehurit u ankuan përmes avokatëve të tyre se u kishin përfunduar afatet e paraburgimit, pasi duke iu referuar Kodit të Procedurës Penale ato duhet të përfundonin pas 12 muajsh.

Për tragjedinë e rëndë janë nën akuzë 28 persona, mes tyre Mihal Delijorgji, administrator i “Albademil”, Ylli Pinari, ish-kreu i MEICO-s, si dhe ish-krerët më të lartë të ushtrisë shqiptare.

Janë dërguar disa letër-porosi për marrjen në pyetje të Patrik Henrit, përfaqësuesi i kompanisë SAC për demontimin e armëve në Gërdec, por nuk ka asnjë informacion se çfarë ka ndodhur me to. Prokuroria ka kërkuar të dijë se çfarë ka ndodhur me këto kërkesa, pasi dëshmia e Patrik Henrit gjykohet si kyçe në hetimin e dosjes “Gërdeci”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›