Kapet nje nga vellezerit e dyshuar vrau per gjakmarrje Mirash Preken
Kapet një nga vëllezërit e dyshuar për vrasjen e emigrantit Mirash Preka për gjakmarrje. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më 21 nëntor të këtij viti në afërsi të shinave të trenit, në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë. Alfred Gjergji, i cili dyshohet se ka vrarë për të marrë hakun e vëllait të vrarë në Greqi, Yllit, është kapur në Tropojë. Forcat e policisë kryeqytetase kanë bashkëpunuar me ato të Drejtorisë së Policisë së Kukësit dhe Komisariatit të Bajram Currit për kapjen e tij. Sipas të dhënave të besueshme, që në momentin e shpalljes në kërkim, prej gati një muaji, Alfred Gjergji, 32 vjeç, ka udhëtuar drejt Tropojës. Atje ka shfrytëzuar shoqërinë me një person, duke qëndruar i fshehur në banesën e tij. Fillimisht, policia e ka kërkuar në fshatin e lindjes Alfred Gjergjin, por nuk ka rënë në gjurmët e tij. Më pas, hetimet janë shtrirë deri në Tropojë, duke marrë shkas edhe nga përgjimet e realizuara në bashkëpunim me prokurorinë. Në orët e vona të së enjtes, policia ka rrethuar banesën dhe ka bërë arrestimin e tij. Bashkë me të është shoqëruar edhe shoku i tij, ndërkohë që dje pasdite, Gjergji është sjellë drejt Tiranës. Më pas, ai është marrë në pyetje nga oficeri i policisë gjyqësore në seksionin kundër vrasjeve, ku është njohur edhe me urdhrin e arrestit. Ai u shpall në kërkim që më 21 nëntor, bashkë me vëllain e tij, Arben Gjergji, 28 vjeç. Gjatë kontrollit në banesën e tyre në Durrës, ku banojnë prej vitesh, pasi janë shpërngulur nga Kukësi, atyre nuk u është gjetur ndonjë provë implikuese. Megjithatë, policia tha se ka prova të dokumentuara për implikim në vrasjen e Mirash Prekës. Mirash Pal Preka, 44 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Paskuqan, ka dalë mëngjesin e 21 nëntorit 2010, me makinën e tij për të mbaruar disa punë të tij. Sapo ka zbritur nga makina, një plumb pistolete në kokë i ka marrë jetën. Një person e ka qëlluar nga distancë e afërt, duke bërë që krisma mos të dëgjohet shumë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00, në rrugën “Jordan Misja”, pikërisht pranë shinave të trenit. Kalimtarët kanë njoftuar shërbimet e policisë dhe në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë uniformat blu të Komisariatit Nr. 3, që kanë rrethuar vendin e krimit. Ai dyshohej për vrasjen e Ylli Gjergjit në Greqi. Vrasja e këtij të fundit ka ardhur pas një konflikti në gjendje të dehur. Policia e Greqisë e kishte hetuar këtë krim, por nuk kishte mundur ta dokumentojë. Por, Prekës i kishte ardhur fjala në shtëpi se ndaj tij do të hakmerreshin, kështu që mendohet se ai nuk ka shkuar më në Greqi dhe dilte hapur në rrugë nga frika e hakmarrjes ndaj fëmijëve.