Pranga plagosi pronarin e lokalit
Një 36-vjeçar ka rënë në prangat e policisë kryeqytetase, pasi dyshohet se është autori i plagosjes së pronarit të një lokali. Olsi Karagjozi është arrestuar për plagosjen e Alfred Guçes. Burimet policore të Tiranës shpjeguan se ngjarja ndodhi rreth orës 20:35 të së enjtes, kur autori dhe i dëmtuari po qëndronin në të njëjtën tavolinë të lokalit të Guçes. Aty kanë debatuar mes njëri-tjetrit, të cilët janë banorë të së njëjtës lagje dhe në një moment, Olsi Karagjozi ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar ndaj pronarit 36-vjeçar. Plumbi i ka shkaktuar plagë të rëndë biznesmenit, të cilin e kanë dërguar me urgjencë për në spital. Policia tha se ende nuk është zbardhur motivi i vërtetë i ngjarjes dhe pritet të bëhet një gjë e tillë pas marrjes në pyetje të Alfred Guçës. Më tej, grupi hetimor shpjegoi se 36-vjeçari Karagjozi u kap rreth orës 01:00 të mëngjesit të djeshëm dhe pas marrjes në pyetje u vendos arrestimi i tij.