Filmi shqiptar,10 ditë në Festivalin e Kanës
alma mile
Një botë e tërë shqiptare në Kanë. Lufta, diktatura, vitet e vështira të tranzicionit, emigracioni, gjakmarrja... Të gjitha përmes filmit. Përgjatë 10 ditëve (12-23 maj), në një prej aktiviteteve më të mëdha të filmit në botë, në Festivalin e Kanës, do të jetë e pranishme edhe kinematografia shqiptare me prodhimet e saj të fundit. Në mbledhjen e parë të këshillit të sapo zgjedhur, të Miratimit të Projekteve, të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë u miratua pjesëmarrja e Shqipërisë në pavijonin e Evropës Juglindore. Sipas kryetarit të QKK-së, Artan Minarolli, prej kohësh ishte marrë ftesa nga CEE dhe pas miratimit të projektit dhe fondit në mbledhjen e bordit, u konfirmua pjesëmarrja në këtë pavijon. Për të marrë pjesë në të, QKK-së i duhet të paguajë një shumë prej 4 milionë lekësh të rinj, që sipas Minarollit është fare e vogël, krahasuar me përfitimet që kinematografia shqiptare do të ketë nga kjo pjesëmarrje. Nëse Shqipëria do të merrte pjesë e vetme në këtë festival, atëherë do të duhej të paguante rreth 70% më shumë, por duket se nuk është thjeshtë çështje parash. “Ndër të tjera është edhe një veprim politik, pasi në këtë pavijon do të marrin pjesë të gjitha vendet e Ballkanit, duke paraqitur kështu së bashku, kulturën që vjen nga ky rajon”, thotë Minarolli. Sipas tij, Shqipëria do të ketë në dispozicion një hapësirë prej rreth 20 metrash katrorë, në të cilat do të jenë vendosur ekrane të mëdha, ku do të shfaqen filma e trailera. çdo kush që do të kalojë pranë pavijonit shqiptar do të mund të marrë një informacion të hollësishëm rreth historikut të kinematografisë në vendin tonë, do të njihet me të kaluarën, por edhe zhvillimet më të fundit. “Kjo hapësirë do të jetë e mbushur me posterat e filmave shqiptarë, do të shpërndahen fletëpalosje, por edhe libra të vegjël, përfshirë të gjitha në çmimin e përgjithshëm, që duhet të paguajmë së bashku me qiratë hapësirës e apartamenteve, ku do të akomodohen kineastët që do të vijnë atje”. Sipas kryetarit të QKK-së, atje do të bëhet një ekspoze e prodhimtarisë së kinematografisë shqiptare prej vitit 1997, por më së shumti do t’i jepet rëndësi krijimtarisë së dy viteve të fundit, duke qenë që kjo është edhe pasqyra e asaj çka ndodh në kinematografinë shqiptare aktualisht. Nëpër ekrane të mëdhenj do të shfaqen 24 orë trailerat e filmave shqiptarë. Do të ketë një të tillë të përgjithshëm, por do të realizohet edhe një promocional për Qendrën Kombëtare Kinematografike, si financuesi dhe mbështetësi kryesor i filmit në Shqipëri. Një kënd i pavijonit do të shërbejë si videotekë, ku çdo i interesuar mund të shohë filmat shqiptarë në DVD. Në mbledhjen e radhës së bordit të QKK-së, i cili përbëhet nga Teodor Laço, në pozicionin e kryetarit, Esat Mysliu, Bujar Lako, Agron Tufa dhe Durim Neziri, do të vendosen titujt e filmave që do të shfaqen, por edhe detaje të tjera, për një paraqitje sa më të plotë dhe dinjitoze. “Gjithçka do të jetë e organizuar më së miri. Aty do të ketë njerëz që do shërbejnë 24 orë, në mënyrë që të bëhet një promovim sa më i mirë i filmit shqiptar”, thotë Minarolli. Sipas tij, kjo pjesëmarrje është pjesë e vizionit ai ka për drejtimin e Qendrës Kombëtare Kinematografike. “Qëllimi është që filmi shqiptar të dalë jashtë rrethit lokal dhe për t’u bërë pjesë e tregut dhe e organizimeve ndërkombëtare, si në Kanë, Berlin, etj. Të mos i lihet në dorë spontanitetit e filmat tanë të mos jenë si anonimë, që nuk dihet se nga vijnë. Pjesë e këtij vizioni është edhe anëtarësimi i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në “Europian Film Promotion””, shton ai. Gjithçka do të jetë gati brenda një kohe të shkurtër. I gjithë pavijoni i Evropës Juglindore do të kurohet nga një kurator kroat, por gjithsesi do të jetë edhe një koordinator shqiptar që do të merret me të gjitha punët. Gjatë ditëve të festivalit mendohet të organizohen aktivitete të përbashkëta me vendet e tjera pjesëmarrëse në këtë paraqitje. Do të jetë një rast i mirë, jo vetëm për promovim, por edhe për shkëmbim eksperiencash dhe lidhjesh mes kineastësh e producentësh. Pas një përpjekjeje që është bërë gjatë kohës, kur QKK drejtohej nga Petrit Ruka, kjo është hera e parë që Shqipëria bën një paraqitje të këtyre përmasave në një aktivitet kaq të madh të filmit botëror. Minarolli shpreson që veç vendosjeve të kontakteve dhe prezantimit, gjatë këtyre ditëve të përfitohet diçka edhe në fushën e distribucionit të filmit. Pse jo, të shitet ndonjë syresh.