Apeli lë në burg regjistruesit e arrestuar nga aksioni “Furtuna”
• TIRANE – Gjykata e Apelit e kryeqytetit vendosi dje të lërë në qeli deri në përfundim të hetimeve dy regjistruesit RamizHykaj dhe Enton Babameto, si dhe të akuzuarin si sekser Veiz Senko, të tre të arrestuar dy javë më parë gjatë operacionit “Furtuna”. 42-vjeçari Hyka dhe ish-kolegu i tij Babameto 33 vjeç, pohuan para gjyqtarit të çështjes se ishin të pafajshëm dhe se mbaheshin në qeli pa prova. Po kështu edhe 55-vjeçari gramshiot, Senko tha se organi ia akuzës nuk kishte sjellë në gjyq asnjë provë por vetëm opinione. Pas kësaj avokatët e tyre mbrojtës, të cilët kishin ankimuar masat e sigurisë, i kërkuan gjykatës lirimin nga qelia të klientëve të tyre. Në fund të seancës gjykata vendosi të mos i pranonte këto kërkesa, duke lënë në fuqi masat e sigurisë të vendosur nga Gjykata e Tiranës më datë 29 shkurt të këtij viti. Ndërkohë, gjatë paradites së sotme pritet që të përballen me masën e sigurisë regjistruesi Artan Mehmeti, sekseri Halil Hima dhe oficeri i SHKB-së së policisë së kryeqytetit Dali Hakorja. Këta u prangosën pasditen e 26 shkurtit në bazë të urdhërarresteve të Prokurorisë pasi ndaj tyre u ngrit akuza e abuzimit të një prone me sipërfaqe 14 mijë metër katrorë në Rrugën e Kavajës, tek ish-parku i autobusëve. Sipas Prokurorisë oficeri i SHKB-së, Hakorja kishte falsifikuar dokumentet e pronës, ndërsa dy sekserët Senko dhe Hima në bashkëpunim me tre regjistruesit po punonin për ta regjistruar këtë pronë në emër të tij. Vetë të pandehurit e kanë mohuar akuzën duke pretenduar se nuk kishin kryer asnjë shkelje të ligjit pasi sipas tyre polici Hakorja është pronar i sipërfaqes 14 mijë metër katrorë. fa.ma.