MASH: Nxënësit të denoncojnë kurset private
• “Denonconi rastet kur mësuesit bëjnë kurse private me nxënësit e shkollave ku punojnë.MASH ka dhënë urdhër që çdo drejtori Arsimore Rajonale të marrë masa përkatëse për çdo mësues që vepron në kundërshtim me ligjin e Arsimit Parauniversitar”. Me këtë thirrje Ministria e Arsimit i bën apel të gjithë gjimnazistëve që të mos bien viktima të mësuesve abuzues. Sakaq MASH sqaron se, nuk ka licencuar asnjë kurs privat, apo subjekt privat të veçantë për lëndët e Maturës Shtetërore. Ky dikaster i ka kërkuar të gjithë maturantëve të ndjekin ditët e konsultave falas, të organizuara prej 2 vitesh nga të gjitha shkollat e mesme. Këto konsultime do të mbahen në datat 2 deri më 7 qershor dhe do të jenë falas për maturantët. “Nuk lejohet asnjë mësues të kryejë kurse private, me nxënës të shkollës së tij apo jo, në ambientet e shkollës apo jo. Çdo subjekt që kryen kurse për lëndët e maturës apo reklamon për kurse të tilla do të penalizohet nga Policia Tatimore sipas akteve ligjore në fuqi”, bën me dije zyra e shtypit në MASH. Sa i përket koeficienteve për llojin e shkollës MASH nënvizon se, pas shqyrtimit që do t’u bëjë propozimeve të 11-të institucioneve arsimore të larta publike, do të marrë një vendim dhe do ta bëjë publik shumë shpejt. “Kujtojmë se koeficientet e llojit të shkollës janë të vlefshëm për plotësimin e formularit A2, që duhet dorëzuar në muajin maj”, sqaroi zëdhënësja e MASH-it. Deri tani janë publikuar koeficientet zyrtarë të universiteteve për lëndët me zgjedhje, që ishin të nevojshme për plotësimin e formularit A1. Më 10 mars ishte afati i fundit të dorëzimit të këtij formulari nga maturantët në shkolla. Brenda datës 25 mars këto institucione do t’i dërgojnë të gjitha këto materiale në drejtoritë arsimore rajonale. Aktualisht po punohet për përfundimin e formularit A2. Me anë të këtij formulari kandidatët për shkollat e larta do të zgjedhin degët e fakulteteve ku do të konkurrojnë. Ashtu si dhe vjet, ata do të kenë mundësi të zgjedhin 10, nga mbi 196 degët e shkollave të larta. Fitues do të shpallen tek njëra prej tyre në bazë të pikëve të llogaritura, sipas 5 komponentëve të Maturës Shtetërore.