E vërteta e makinës dhe ndalimit të Emërllahut
• TIRANE - Dje marrë nga burime të policisë, në faqen “Aktualitet” të disa gazetave të përditshme është botuar, një shkrim i shkurtër me titull “Trafiku, prangoset kosovari”!.Bëhet fjalë për “vjedhje” dhe “trafikim” makinash kryesisht të tipit “Toyota” nga unë, shtetas i Republikës së Kosovës, me banim dhe punë të përkohshme në Tiranë. Pa e zgjatur shumë, për hir të opinionit lexues dhe të së vërtetës, unë në datën e përmendur kam bërë kallëzim në polici për vjedhjen e makinës “Toyota”, me të cilën kam punuar që sa vite në Tiranë, meqë më 5 të këtij muaji, para banesës në rr. “M. Shyri”, atë në parking e ka vjedhur dikush dhe prej asaj dite ajo nuk është gjetur. Mund të jetë gjetur makinë tjetër, po jo ajo që kisha unë në përdorim. Më vjen keq, por kur kam dhënë deklaratën në polici, mund të mos kem dëshmuar qartë dhe në mënyrë profesionale ngjyrën e saj, duke e ngatërruar, por makina që kisha ende nuk është gjetur. Dua të njoftoj opinionin se as jam marrë me trafikim makinash ndonjëherë dhe as merrem sot. Mua më është vjedhur makina “Toyota”, një makinë shumë e vjetër dhe nuk më është kthyer ende. Në Kosovë në jetën time asnjëherë nuk kam pasur “Toyota”, dhe as kam bërë kalim kufiri me makinë të tillë. Gazetat dhe gazetarët i porosis mos të nguten shumë në vlerësime dhe në vendosje titujsh të paqenë. Kaq.Izet Emërllahu